Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon kundër vendimeve të kundërligjshme të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), rreth praktikës së “transferimit” të prokurorëve të shtetit në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e miratuara nga vet KPK.
Më 6 janar 2017, Kryeprokurori i Shtetit me Vendim, sipas kërkesës së paraqitur nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ka “transferuar përkohësisht” prokurorin e Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Sylë Hoxha në PSRK.
Vendimi i Kryeprokurorit Lumezi përcakton se prokurori Hoxha ka të drejtë në beneficionet që dalin nga ushtrimi i funksionit të prokurorit në PSRK.
Gjithashtu, KPK në takimin e mbajtur më datë 1 shkurt 2017, ka marr Vendim për “transferimin” e prokurorit Sylë Hoxha në PSRK.
Në takimin e KPK-së, në pikën lidhur me transferimin e Prokurorit Hoxha, anëtarë të KPK-së kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me ligjshmërinë e transferimit të prokurorëve përfshirë “transferimin e prokurorit Hoxha” pa kaluar përmes institutit të konkursit.
Vendimet e Kryeprokurorit të Shtetit dhe KPK bien në kundërshtim me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit.
KPK rregulloren e lartë përmendur e kishte miratuar më 31 mars 2016. Rregullorja për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit ka përcaktuar procedurat dhe kriteret e transferimit dhe avancimit të prokurorëve të shtetit. Zbatimi i kësaj rregullore do të ndalonte praktikën e keqe të instaluar nga KPK që nga viti 2011, duke transferuar dhe avancuar prokurorë pa proces të drejtë, paanshëm dhe të bazuar në meritë dhe duke anashkaluar institutin e konkursit.
Praktika e shkeljes së ligjit nga Kryeprokurori i Shtetit dhe KPK është kthyer në standard të qeverisjes së sistemit prokurorial. Bazuar në këtë standard, ligji interpretohet dhe zbatohet për interesa të ngushta të personave të caktuar brenda sistemit prokurorial.
Vendimet e Kryeprokurorit të Shtetit dhe KPK-së për “transferimin” e prokurorit Hoxha në PSRK bien në kundërshtim me vet politikat e miratuara nga Këshilli. Sipas përcaktimit të definicionit lidhur me transferimin e prokurorëve të shtetit, është përcaktuar qartë se transferimi duhet të jetë i nivelit të njëjtë dhe sipas kërkesës së vet prokurorit edhe në nivel më të ultë.
IKD vlerëson nevojën e KPK-së për plotësimin e pozitave të lejuara për prokurorë në PSRK, për të cilën ka avokuar dhe avokon në baza ditore në të gjitha aktivitetet e saj publike. IKD vazhdimisht ka kërkuar nga KPK që të plotësoj pozitat e lira për prokurorë në PSRK, ku nga 18 pozita të lejuara për prokurorë në këtë prokurori, janë të plotësuara vetëm 9. Megjithatë, IKD pret nga KPK që gjatë procesit të plotësimit të këtyre pozitave, të zbaton strikt Ligjin për KPK-në, Ligjin për Prokurorin e Shtetit, rregulloret dhe aktet e brendshme të miratuara nga vet Këshilli.
Para z. Sylë Hoxha në mënyrë të njëjtë ishte vepruar me prokurorin z. Abdurrahim Islami, i cili në kundërshtim me ligjin dhe Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve ishte transferuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në PSRK, për të cilën shkelje IKD ka reaguar publikisht më 12 dhjetor 2016.
Praktika e instaluar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe KPK, lidhur me shkeljen e ligjit dhe akteve të brendshme gjatë ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të tij, përmes miratimit të Vendimeve të kundërligjshme zbehë edhe më tej besimin e publikut, qytetarëve dhe sistemit prokurorial për të ndërtuar një sistem të paanshëm, të drejtë, të pavarur dhe profesional. Për më shumë gjeni të bashkangjitur analizën e shkurtë ligjore për shkeljet e ligjit dhe akteve të KPK-së nga Kryeprokurori i Shtetit dhe KPK. Kliko lidhëzen në vazhdim për ta shkarkuar 1. Analize e shkurte – Vendimet e kunderligjshme te KPSH dhe KPK – 07.02.2017