Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar raportin “Kompensimi i Viktimave të Dhunës në Familje”, ku të gjeturat thonë se në të gjitha rastet ku ka pasur kërkesa për kompensim të viktimave të dhunës në familje, nuk është vendosur në procedurë penale, raporton Ekonomia Online.
Gzim Shala, hulumtuese ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se dhuna në famlije vazhdon që të mbete një dukuri problem antikë në Kosovë.
“Dhuna në familje vazhdon të mbete një dukuri problematike në Kosovë dhe pa marr parasysh veprimet e ndryshme të ndërmarra, fatkeqësisht çështja e parandalimit të luftimit të dhunës në familje si dukuri endë nuk ka rënë në binarët e duhur. Një prej masave të rëndësishme që Kosova ka marra në këtë drejti është përfshirja e konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.
Hulumtuesi ligjor në IKD, Flamur Kabashit tha se aktgjykimet e analizuara nga IKD i përkasin periudhës kohore 2020-2022. Sipas tij, në të gjitha rastet ku është kërkuar kompensimi i viktimave, gjykatat kanë udhëzuar në kontekst civil.
“IKD ka analizuar 50 aktgjykime të Gjykatave Themelore, të nxjerra në vitet 2020-2022. Këto vendime kanë të bëjnë me veprën të dhunës në familje. Në mesin e 50 aktgjykimeve, IKD ka gjetur se viktima nuk ka kërkuar kompensim në 24 raste (48%), ndërsa ka kërkuar kompensim në 20 raste tjera (40%). Përderisa, në 6 raste tjera (12%) aktgjykimet nuk përmendin nëse viktima ka kërkuar kompensim ose jo”, tha Kabashi.
Hulumtuesi ligjor në IKD, tha se “Pavarësisht faktit se viktimat kanë paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit të shkaktuar nga vepra penale në 24 raste, IKD ka gjetur se në asnjë prej rasteve gjykatat nuk kanë vendosur në procedurë penale. Prej nga rrjedhë se, gjykatat kanë udhëzuar në kontest civil në të gjitha rastet e ekzistimit të kërkesës pasurore juridike. Sipas analizës së aktgjykimeve është identifikuar se në 31 raste, gjykatat kanë udhëzuar palën/viktimën në kontest civil”, tha ai.
Ndërsa, sipas Kabashit, në disa raste të tjera, IKD ka gjetur se gjykatat nuk kanë vepruar në këtë mënyrë.
“Ndërsa, në 19 raste të tjera nuk kanë vepruar në këtë mënyrë. Në këto raste, Gjykatat nuk kanë udhëzuar në kontest civil, duke iu referuar nenit 461 të Kodit Nr.04/L-123 të Procedurës Penale: Mirëpo, ky nen nuk i pamundëson të dëmtuarve të paraqesin kërkesën e tyre pasurore juridike në procedurë civile, por vetëm gjatë procedurë penale. Për këto arsye, edhe në këto raste, Gjykatat do duhej të udhëzonin palët që kërkesat e tyre pasurore juridike ti realizojnë në procedurë civile derisa mbetet në disponibilitetin e palëve të dëmtuara nëse do ta bëjnë këtë”, tha ai.
Tutje, Kabashi tha se neni 458.1 mbi kërkesat pasurore juridike në procedurën penale ka përcaktuar kushtet të cilat duhet plotësuar me qëllim të shqyrtimit të kërkesës në këtë procedurë.
Kabashi, ka thënë se viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën të kompensimit në rastet kur i pandehuri është shpallur fajtor.
“Sipas Kodit Nr.08/L-032 të Procedurës Penale viktima ka të drejtë në kompensim të arsyeshëm për dëmin material, fizik dhe emocional të shkaktuar nga vepra penale, për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor sipas KPRK. Gjykata që zbaton procedurën penale shqyrton propozimet e palëve, përkatësisht viktima ose personat e autorizuar, lidhur me kërkesat e tyre pasurore juridike, për dëmet që kanë pësuar si rezultat e kryerjes së veprës penale nga të cilët janë dëmtuar”.
Hulumtuesi ligjor në IKD tha se për kompensimin e viktimave të dhunës në familje mund të vendoset në procedurë penale ose të udhëzohet që kërkesa të realizohet në kontest civil.
“Se a do të vendos gjykata në procedurë penale për kërkesën apo këtë do ta referojë në procedurë civile, rëndësi ka vendimi meritor i gjykatës, me të cilin i akuzuari shpallet fajtor, lirohet nga akuza, refuzohet akuza apo pushohet procedura penale. Në situatën e parë, kur i akuzuari shpallet fajtor, gjykata mund të vendosë për kërkesën pasurore juridike, nëse ajo është parashtruar, të të dëmtuarit në tërësi ose pjesërisht dhe për pjesën e mbetur e udhëzon në kontest civil. Përderisa, në situatat tjera, gjykata udhëzon të dëmtuarin që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në kontest civil”, tha ai.
Kabashi tha se ekziston edhe një instancë tjetër e cila siguron të drejtën për kompensim të viktimave të dhunës në familje.
“Në rastet kur kompensimi nuk mund të sigurohet sipas rrugëve të lartcekura, Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit siguron të drejtën për kompensim nga Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, tha Kabashi.
Hulumtuesja, Shqiponjë Gashi ka thënë se edhe pse Kodi i Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë, gjykatat në asnjë rast në procedurë penale nuk kanë vendosur mbi propozimin për kërkesën pasurore juridike.
Një deklarim të tillë, Gashi e tha të premten gjatë prezantimit të raportit “Kompensimi i viktimave të dhunës në familje”.
Sipas hulumtueses Gashi, mos vendosja në procedurën penale dëmton mbështetjen e sistemit të drejtësisë penale nga viktimat potenciale.
Mohimi i kësaj të drejtë vazhdimisht nga gjykatat në procedurën penale, sipas Gashit, mund të merret si dështim në mbrojtjen e viktimës, në veçanti nga efektet negative të krimit dhe dekurajim i vazhdueshëm për paraqitje të kërkesave pasurore në këtë procedurë.
Si arsye kryesore në dekurajimin e palëve të dëmtuara me procedim të mëtejshëm, Gashi tha se është kohëzgjatja e procedurave gjyqësore në rastet civile, që paraqitet si një ndër sfidat kryesore të administrimit të drejtësisë në Kosovë. Kjo pasi në rastet kur në procedurë penale nuk vendoset për kërkesën pasurore juridike, atëherë palët obligohen që për realizimin e kompensimit të iniciojnë proces të ri gjyqësor.
E që sipas Gashit, nga llogaritjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është gjetur se që një lëndë civile të marrë një epilog duhet të kalojnë përkatësisht 5.5 vite. Në rastin e viktimave të dhunës në familje, kjo periudhë fillon të rrjedhë vetëm pasi të përfundojë procedura penale.