Në mbledhjen komemorative që u mbajt për nder të legjendës së futbollit i cili ka ndërruar jetë ditën e djeshme, Fadil Vokrri, u tha se humbja e një heroi të tillë siç ishte ai, është humbje për tërë kombin shqiptar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ikja para kohe e heroit të futbollit të Kosovës, është një humbje e madhe kombëtare.
“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare”, tha Veseli.
Veseli tha se jo vetëm familja, por secili që ka pasur rastin ta njoh Fadilin, sot duhet të ndihet krenar se ka një rrëfim për këtë njeri të madh të Kosovës.
“Kemi humbur legjendën e futbollit tonë, në kohën kur më se shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit”, shtoi Veseli.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se heroi i futbollit Fadil Vokrri ishte i të gjithëve dhe se ai nuk di që ka dikush që nuk kishte qenë i afërt me të pasi që sipas tij Vokrri e kishte shpirtin e bardhë, ishte sportist i cili mërzitej për lajme të këqija për këdo qoftë dhe i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë dhe jo vetëm në sport.
“Ai kishte mbijetuar një krenari të sportit në kohëra jo të lehta për popullin tonë edhe para 90 ai e mbajti gjallë frymën e sportit edhe pas viteve 99, ai u kthye për të iu dhënë edhe një herë përkrahjen në sport, sportistëve dhe jo vetëm futbollistëve dhe federatës së futbollit, por edhe Kosovës në këtë periudhën e re të shtet ndërtimit, falë tij Kosova u kthye në familjen e sportit dhe futbollit në FIFA Dhe falë tij Kosova e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare dhe na bëri shumë miq për sportin për vendin”, tha Haradinaj.
“Ndarja nuk është e lehtë si kjo e sotmja, ju siguroj familje e legjendës sonë, që nuk jeni sot me dhimbje vetëm ju, jemi të gjithë së bashku sepse ai ishte i të gjithëve dhe gjithherë do të mbetet i gjithë ne në kujtimet më të mira për të”, shtoi Haradinaj.
Armand Duka tha se i vije keq që sot duhet të ndahet nga miku i tij i cili ishte me vlera të mëdha kombëtare dhe se Vokrri kishte qenë njëri ndër personat që kishte kontribuar më së shumti në njohjen e Kosovës në familjen evropiane.
“Fadili ka qenë një futbollist i madh evropian, ka luajtur futboll në Kosovë, ka luajtur në ish jugosllavi ne nivele të larta dhe po të kishte mundësi do të luante edhe më tej në nivele edhe më të larta por unë e kam njohur Fadilin më vonë, e kisha ëndërr të isha krah i një legjende si ai por e kam njohur si drejtues i Federatës të Kosovës dhe më vonë u bë një mik i mirë i imi”, shtoi Duka.
Ndërsa, Gramos Vokrri, i biri i Fadil Vokrrit tha se për të është shumë e vështirë të flasë dhe të përshkruaj babain e tij pasi qe veprat e tij për Kosovën flasin vetë, ai shkurt falënderoi të gjithë miqtë dhe njerëzit që erdhën në homazhe për nderim të tij, për përkrahjen që u është dhënë familjes Vokrri në këtë ditë të vështirë.