Ikja e të rinjve nga Kosova tendencë në rritje

Prishtinë | 23 Nën 2024 | 08:32 | Nga Gzim Mujaj

Largimi i të rinjve nga Kosova po shihet si një sfidë që kërkon vëmendje urgjente nga institucionet, raporton Ekonomia Online.

Ekspertë dhe përfaqësues të rinisë kanë ngritur shqetësime për shkallën e papunësisë dhe mungesën e perspektivës, të cilat po i shtyjnë të rinjtë të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit.

Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Fondacionin Friedrich Ebert (FES), ka thënë për Ekonomia Online se fenomeni i largimit të rinjve është problematik jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin.

Ai ka thënë se sipas një studimi që ka kryer FES-i, një pjesë e madhe e të rinjve kanë tendencë të largohen nga Kosova. Arsye për këtë ai përmend kërkimin e një mirëqenie më të mirë dhe kushte më të mira jetese.

“Normalisht së është shqetësuese duke marrë parasysh që Kosova ka popullsinë më të re në rajon dhe në Evropë. Gjithmonë e ardhmja fokusohet tek të rinjtë dhe perspektiva edhe e vendeve të punës dhe ekonomisë, është e bazuar në gjenerata të reja dhe gjithmonë është problematike. Ky është një trend jo vetëm në Kosovë, por është në trend edhe në gjithë rajonin që të rinjtë po largohen ose po pretendojnë që të largohen për shumë arsye nga Kosova”, tha Osmanaj.

Mirëpo, sipas tij edhe pse studimi ka nxjerrë si rezultat se një pjesë e madhe e të rinjve kanë tendencë që të largohen nga Kosova, megjithatë ai pohon se nuk janë ende të sigurt nëse do të ndërmarrin një veprim të tillë.

“Çka është me rendësi fakti që shumica e të rinjve që dëshirojnë që të largohen janë duke e bërë për mirëqenie më të mirë e standardit më të mirë jetësor, qoftë për arsye shëndetësore, pagë më të mirë, kushteve më të mira të jetesës. Kjo është shqetësuese dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë nga institucionet tona të politik bërjes”, ka thënë ai.

Osmanaj ka shtuar se nga i njëjti studim rezulton me të dhëna se rreth 41 për qind e të rinjve janë të pa punë në Kosovë.

“Nga studimi dhe të dhënat që kemi mbledhur ne rreth 41 për qind e të rinjve janë të pa punë, por edhe të cilët nuk kërkojnë punë aktivisht. Kjo mund të shpjegohet në forma të ndryshme, pra mund të jenë duke studiuar, mund të jenë duke kryer trajnime të tjera ose duke pritur për tu larguar nga Kosova. Jo kjo domosdoshmëritë lidhet me raportin e pamundësisë për tu punësuar, për shkak se siç e thash pjesa e këtyre të pa punëve janë, jo aktivisht duke kërkuar punë, që nënkupton që mund të jenë të angazhuar me arsye të tjera”, ka thënë ai.

Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, kritikoi qeverinë për mungesë veprimi dhe manipulim të situatës.

“Qeveria po manipulon me shifra, po manipulon me rezultate, rezultate ka publikuar edhe Ambasada e Gjermanisë që është numër jashtëzakonisht i madh i të rinjve që janë duke ikur nga Kosova. Kjo vjen për arsye të ndryshme, njëra nga to është mungesa e shpresës në këtë vend dhe natyrisht që një i ri don të ikë nga Kosova kur e sheh që një person si Dejona Mihali vendos kur me pas rrymë një i ri dhe kur mos me pas rrymë një i ri. Skena politike në Kosovë është jashtëzakonisht e vrazhdë, kjo ka ardhur si pasoj e një diskursi që është krijuar me vite të tëra nga VV-ja dhe kjo ka ndikuar shumë në rritjen e numrit të interesuarve për të lëshuar vendin”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Sipas tij, situata e krijuar vjen si rezultat i një klime politike të ashpër dhe të padrejtësive sistematike në tregun e punës të krijuara nga partia në pushtet.

“Shumica e të rinjve që janë të punësuar, janë të punësuar nga informacionet të tyre, prej dijes së tyre që kanë përfituar me kurse që i kanë kryer online për sektorin e IT-së. Papunësia është e madhe, normalisht që është papunësi e madhe kur ne po shohim raste çdo ditë qysh favorizohen në institucione publike familjarët e pushtetetarëve. Përderisa familjarët e pushtetarëve favorizohen në punësime, në institucione në grante, në ministri të ndryshëm natyrisht që nuk do të ketë vende pune aty për të rinjtë”, ka thënë ai.

Të ngjashme