Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka thënë se situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm.
IKSHPK ka thënë se kanë rritur vigjilencën për tu përballur me shtimin e intensitetit të gripit sezonal.
Sipas të dhënave janë raportuar 5520 raste me sëmundje të ngjashme me gripin.
“Gjatë javës së VII-të janë raportuar 5520 raste SNG (Sëmundje e Ngjashme me Gripin), 409 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 17 raste Infeksion i rëndë akut respirator SARI. Mostrat e grumbulluara nga pacientët e qendrave sentinel me ILI ose ARI tregojnë për një pozitivitet në Influencë A dhe B në qarkullim. Të gjitha subtipet fatmirësisht janë në përbërësit e vaksinës së sivjeme katër shtamëshe, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë nga fillimi i sezonit dhe Instituti Kombëtar ka shpërndarë dhe monitoruar zbatimin në çdo QKMF sipas indikacioneve epidemiologjike. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe intensitet mesatar, ulje të rasteve të komplikuara dhe ulje të rasteve të hospitalizuara”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Instituti Kombëtar ka dërguar rekomandime të gjitha institucioneve shëndetësore në vend për masat për parandalimin e gripit sezonal dhe do të informojë rregullisht për ndryshimet në situatën epidemiologjike Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSh.
Komunikata e plotë:
Gripi në Kosovë me intensitet të lartë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës dimërore.
Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me shtimin e mëtutjeshëm të intensitetit të gripit sezonal.
Gjatë javës së VII-të janë raportuar 5520 raste SNG (Sëmundje e Ngjashme me Gripin), 409 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 17 raste Infeksion i rëndë akut respirator SARI.
Mostrat e grumbulluara nga pacientët e qendrave sentinel me ILI ose ARI tregojnë për një pozitivitet në Influencë A dhe B në qarkullim. Të gjitha subtipet fatmirësisht janë në përbërësit e vaksinës së sivjeme katër shtamëshe, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë nga fillimi i sezonit dhe Instituti Kombëtar ka shpërndarë dhe monitoruar zbatimin në çdo QKMF sipas indikacioneve epidemiologjike. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe intensitet mesatar, ulje të rasteve të komplikuara dhe ulje të rasteve të hospitalizuara.
Duke pasur parasysh ecurinë e gripit sezonal dhe shtimin në intensitetin e përhapjes në fillim të shkurtit gripi sezonal edhe këtë javë ka vazhduar me intensitet të lartë.
Të njëjtin intensitet të lartë e kanë edhe Disa shtete të Ballkanit. Shtetet e BE kanë regjistruar intensitet të lartë dhe shumë të lartë;
Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar për gripin sezonal duhet të vazhdojnë dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.
Instituti Kombëtar ka dërguar rekomandime të gjitha institucioneve shëndetësore në vend për masat për parandalimin e gruipit sezonal dhe do të informojë rregullisht për ndryshimet në situatën epidemiologjike Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSh.
Rekomandimet për Institucionet shëndetësore
Rekomandimet e Institutit Kombëtar duhet të ndërmerren në mënyrë strikte dhe të kontrollohet efekti i këtyre masave në mënyrë rigoroze:
Masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal.
Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;
Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;
Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;
Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripi.
IKSHPK është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të japi rekomandimet e nevojshme.