IKShPK-ja shënon Ditën e të Moshuarve, vlerësohet kontributi i tyre në shtetndërtim

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 12:22 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar.

Sfidë për këtë kategori, u tha se ishte pandemia që pikërisht preki më shumë të moshuarit, raporton Ekonomia Online.

Sipas pjesëmarrësve të moshuarit janë kontribuues të shtetndërtimit, ndërsa u vlerësua lartë puna e IKSHPK-së në ofrimin e përkujdesjes ndaj të moshuarve.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së Naser Ramadani, tha që Instituti është kujdesur në të gjitha aspektet për të moshuarit gjatë pandemisë, teksa kërkoi vetëdijesim për çështjet që i prekin të moshuarit.

“Jemi bashkërisht këtu pas një periudhe të vështirë nga pandemia, e cila ka qenë në veçanti situatë sfiduese për personat e moshuar gjithandej globit. Duhet të veçojmë këtë rast fokusimin e Institutit Kombëtar që ka pasur gjatë kësaj kohe për ofrimin e përkujdesjeve ndaj personave të moshuar”.

“Shënimi i ditës ndërkombëtare të moshuarve ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për çështjet që i prekin të moshuarit, të sfidojmë stereotipat dhe keqkuptimet për të moshuarit”, tha Ramadani.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, kërkoi që për këtë kategori të ketë rëndësi më të madhe, pasi siç tha ajo, janë kontribuues të shtetndërtimit.

“Pa dyshim ngarkesa më e madh ka rënë në grupe moshën e të moshuarve, duke pasur parasysh faktin që si kategori kanë qenë më të ekspozuar për shkak që disa sëmundje kanë faktorin moshë”.

“Bazuar në statistikat, Kosova është vendi me shkallën më të ulët të popullatës së vjetër që është rreth 7.5 për qind, por kjo nuk do të thotë që kësaj grupmoshe nuk duhet t’i kushtohet rëndësia që ka, sidomos kur dihet fakti që gjenerata e të moshuarve aktual është krijuesi i institucioneve tona, ndërtimit tonë dhe kontribuues të pazëvendësueshëm të shtetit dhe shoqërisë sonë”, tha Gexha-Bunjaku.

Farije Ajeti, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, foli për punën dhe institucionet që kanë nën menaxhim.

“Në Kosovë aktualisht janë 5 shtëpi, të cilat ofrojnë shërbime dhe përkujdesje 24 orëshe për personat e moshuar pa përkujdesje familjare e që janë edhe raste sociale”.

“Gjithashtu kemi edhe rolin e organizatave joqeveritare në trajtimin të këtij komuniteti, kemi edhe skemat e pensioneve të cilat i mbulon shteti”, tha Ajeti.

Të ngjashme