Deputeti i Alternativës, Ilir Deda e thotë se bisedimet me Vetëvendosjen (VV) janë të vonshme. Por sipas tij, do të shohin se cilat pika të platformës me këtë parti dhe koalicioni kanë nevojë për përparime.
“Takimi i cili u mbajt sot është në fakt në frymë të takimit i cili u mbajt para 10 dite, ku janë caktuar njerëzit e grupeve punuese dhe e kemi parë përafërsisht në cilat pika programore veçse ekziston dakordanca dhe ato do të listohen nesër, do të shohim cilat pika programore për krijim të platformës qeverisëse kanë nevojë për diskutim dhe kompromis dhe cilat pika politike duhet të jenë në nivel më të lartë politik. Mendoj që është hap i duhur, pak jemi vonë, shumë jemi vonë por prapë se prapë më mirë që kemi filluar të takohemi dhe të diskutojmë për atë se si duhet të qeveriset shteti jonë”, tha Deda pas takimit me Avdullah Hotin nga LDK dhe Dardan Sejdiun nga VV.
Ai tha se Alternativa mbetet në koalicion me LDK-në dhe sipas tij, vendimi i AKR-së për të krijuar grup të vetin parlamentar do të jetë në funksion që LDK dhe LVV të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje.
“Alternativa mbetet në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativa mbetet në grup të përbashkët parlamentar me LDK-në . Sa i përket vendimit të AKR-së që ta bën grupin e vet parlamentar ne shohim atë në funksion të presionit politik që LDK-ja me Vetëvendosjen ta mbërrijnë sa më shpejt platformën e përbashkët qeverisëse”.