Ilir Meta e propozon Petraq Milon në krye të KLSH

Prishtinë | 17 Kor 2019 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i  Shqipërisë, Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si kandidat për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milon.

Zëdhënësi i Presidentit, në një njoftim për mediat thotë se “Prof. Dok. Petraq Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë. Përvoja e tij akademike, brenda dhe jashtë vendit, si edhe bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme financiare botërore dhe të Bashkimit Europian, janë një faktor i rëndësishëm për këtë zgjedhje”.

Në njoftim thuhet më tej se, kreu i shtetit falenderon edhe njëherë kandidatët e mëparshëm të propozuar prej tij për postin e kryetarit të KLSH-së, znj.Vitore Tusha dhe z.Bahri Shaqiri, të cilët pranuan kandidimin e tyre dhe është i bindur edhe sot në integritetin e lartë të tyre për drejtimin e KLSH.

“Presidenti Meta, duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese“, thuhet në njoftim.

Meta do t’ja dërgojë brenda ditës së sotme propozimin e tij Kuvendit, me besimin e plotë se do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe përgjegjshmëri, që KLSH të funksionojë në mënyrë plotësisht kushtetuese e ligjore./tvklan.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme