Gjykata Themelor e Prishtinës e ka shpallur të pafajshëm në të tri akuzat ish-imamin e Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi.
Krasniqi akuzohej për shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.
Krasniqi pas lirimit nga akuzat në një prononcim për media tha se e drejta doli në pah.
“Kam qenë i bindur, si ju dhe ata që kanë urdhëruar të më arrestojnë, se nëse në vendin tonë ka vetëm një shkëndijë drejtësie puna ime është shumë e qartë dhe pa asnjë shibël do të del në pah, dhe fal Zotit kjo u vërtetua. Faleminderit për të gjithë ju që më keni përkrahë, pavarësisht të gjitha lakimeve që kanë qenë herë-herë”, ka thënë Krasniqi.
Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka folur edhe avokati i Krasniqit, Sevdali Zejnullahu.
“Me këtë vendim doli në pah e vërteta e cila dëshmon se akuzat ishin të pabaza dhe pa prova mbështetëse”, tha ai.
Sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun dhe përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve Kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.
Sipas aktakuzës i Krasniqi i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T. “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej 20,208.57 euro.