Imazhi i Kosovës në panaire ndërkombëtare iu besua një kompanie fiktive

Prishtinë | 15 Jan 2024 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

“Mirt Interijer” dhe “Kan-Construct Fair” – dy kompanitë kryesore që përkujdesen për imazhin e Kosovës në panaire ndërkombëtare, kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë nga KIESA rreth 1.4 milionë euro gjatë viteve 2022-2023. Hulumtimi zbulon se ato pranuan pagesa të majme nga Agjencia që operon nën MINT, duke u kamufluar si kompani konkurrente të njëra-tjetrës.

“Kan-Construct Fair” ishte regjistruar si biznes në Kroaci në fund të vitit 2018. Dy vjet më vonë, pa asnjë përvojë të vërejtshme në organizimin e panaireve, kjo kompani u “angazhua” nga institucionet e Kosovës për ndërtimin e shtandeve për bizneset kosovare në panairet ndërkombëtare.

Nga gjithsej 24 panaire ndërkombëtare të mbajtura në qytete të ndryshme evropiane gjatë periudhës 2022-2023, kompanisë Kan-Construct Fair i është besuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, ndërtimi i shtandeve të Kosovës në tetë prej tyre. KIESA është agjenci shtetërore e cila funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, (MINT), dhe që misioni i saj është të promovojë e mbështesë investimet, eksportin, turizmin, NVM-të dhe Zonat Ekonomike në Republikën e Kosovës.

Për Kan-Construct Fair, e cila tek autoritetet kroate është prezantuar se ushtron veprimtari për organizim të panaireve, nuk mund të gjendet asnjë informacion publik lidhur me përvojën e saj.

Hulumtimi zbulon se Kan-Construct Fair, në fakt, është vetëm shtojcë e një kompanie tjetër që ka përfituar gati 1 milion euro në periudhën e njëjtë nga KIESA.

Bëhet fjalë për kompaninë “Mirt Interijer”, po ashtu kompani kroate, por ndryshe nga Kan-Construct Fair, kjo me përvojë në fushën e panaireve dhe që operon si biznes që nga viti 1993.

Prej 24 panaireve gjatë periudhës 2022-2023 që i ka hulumtuar Buletini Ekonomik, kompanitë Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair së bashku janë përzgjedhur në 19 prej tyre për ndërtimin e shtandeve për bizneset e Kosovës.

Mirt Interijer qëndron prapa organizimit në 11 panaire, ndërsa Kan-Construct Fair në 8 prej tyre.

Të dyja së bashku brenda një periudhe dy vjeçare, përfituan nga buxheti i Kosovës rreth 1.4 milion euro. Prej tyre, 815 mijë e 978 euro iu transferuan Mirt Interijer dhe 550 mijë e 546 euro tjera kompanisë Kan-Construct Fair.

Konkurrencë e rreme?

Anipse as Mirt Interijer dhe as Kan-Construct Fair nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Buletinit Ekonomik, agjencia shtetërore KIESA i ka prezantuar ato si kompani “konkurrente” në komunikimet përmes email-ave të kësaj agjencie me stafin e Buletinit Ekonomik.

Mirëpo, nga të gjitha të dhënat publike të hulumtuara, del se në fakt, punët për Kosovën i kreu vetëm njëra kompani, edhe atëherë kur nga KIESA “angazhohej” edhe kompania tjetër.

Hulumtimi zbulon se Mirt Interijer është kompania kryesore prapa imazhit të Kosovës në panaire ndërkombëtare.

Mirt Interijer është kompani e themeluar në vitin 1993, dhe nga të gjitha të dhënat publike rezulton si kompani me përvojë në fushën e organizimit të panaireve.

Por, e njëjta nuk mund të thuhet për kompaninë tjetër, Kan-Construct Fair. Kjo kompani është themeluar në fund të vitit 2018, mirëpo asnjë e dhënë tjetër sa i përket punës së saj – nuk është publike.

Kan-Construct Fair u angazhua nga KIESA për ndërtimin e shtandeve të Kosovës në 8 panaire gjatë viteve 2022-2023, vetëm dy vjet pasi ishte regjistruar si biznes në Kroaci.

Dy në një?

Nga të dhënat publike të siguruara tek autoritetet kroate për regjistrim të bizneseve, rezulton se Mirt Interijer qëndron edhe prapa kompanisë Kan-Construct Fair.

Të dyja janë kompani kroate dhe kanë adresë të njëjtë të biznesit, por një lidhje tjetër i rritë edhe më shumë dyshimet për kamuflim të konkurrencës.

Të dyja i lidhë një emër: Ana Kanižić.

Në uebfaqen e Mirt Interijer, Ana Kanižić figuron aty si menaxhere e projekteve, ndërsa në biznesin Kan-Construct Fair e njëjta figuron si themeluese e kompanisë. Por, kjo nuk është lidhja e vetme mes tyre që ngre dyshime për prezantim të rrejshëm si kompani konkurrente nga KIESA. Të dyja e kanë të përbashkët edhe adresën e biznesit me të cilën janë regjistruar si biznese tek autoritetet kroate.

Për të lexuar më shumë rreth këtij keqpërdorimi, ftoheni të klikoni KËTU.

Të ngjashme