Produktet e importuara të qumështit po godasin prodhuesit vendës, duke krijuar një konkurrencë të pabarabartë në treg. Produktet e importuara futen në treg nën koston e prodhimit vendës, gjë që po dekurajon konsumatorët.
Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit kërkojnë mbrojtje institucionale që të aplikojnë masa mbrojtëse për ato produktet që shiten nën koston e prodhimit, të cilat po u sjellin probleme të mëdha.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, Milazim Berisha, drejtor gjeneral i qumështores “EuroLona” nga fshati Miradi e Epërme e Fushë Kosovës, sipas të cilit, prodhuesit e regjionit kanë përkrahje shumë të madhe nga shtetet e tyre dhe kjo është njëra nga arsye që ata i bëjnë shumë më konkurrent në krahasim me prodhuesit në Kosovë.
“Kemi produkte të cilat në shtetet e origjinës nga vijnë kanë një çmim shumë më të lartë, ndotsha 200 për qind më të lartë se sa që shitet në Kosovë. Këtu duhet jetë një bashkëpunim më i madh ndërmjet nesh dhe institucioneve përkatëse që të aplikojnë masa mbrojtëse për produktet të cilat shiten në Kosovë nën koston e prodhimit dhe neve na sjellin probleme shumë të mëdha…”, ka thënë Berisha.
Ai ka folur edhe për Marrëveshjen për Stabilizim Asociimit (MSA) e nënshkruar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila prek fusha dhe veprimtari të shumta, por jo edhe sektorin e qumështit.
Berisha ka folur edhe për Pakon e re Fiskale dhe ndryshimet e mundshme të cilat mund të bëhen në të.
Ky prodhues tregon se ballafaqohen me shume probleme edhe gjatë prodhimtarisë, duke filluar nga infrastrutkura, mospagesa me rregull e energjia elektrike.
INTERVISTA E PLOTË:
EO: A mund të na tregoni nga cili vit keni filluar dhe një historik të shkurtër të kompanisë tuaj?
Berisha: Si kompani kemi filluar me veprimtari të agrobiznesit nga viti 2000 dhe në fillim kemi filluar me një numër të vogël të lopëve dhe me disa hektarë tokë. Më pas, me kalimin e kohës kemi arritur t’i rrisim kapacitetet e prodhimit, po ashtu edhe të makinerisë bujqësore në përgjithësinë dhe me rritjen e kapaciteteve prodhuese të qumështit dhe të drithërave ne e kemi ndier nevojën e themelimit të qumështores. Në vitin 2009 kemi startuar edhe me fabrikën e përpunimit të qumështit, ku në kuadër të fabrikës kemi një gamë të madhe të disa produkteve, ku disa numërojnë rreth 20 produkte të ndryshme të qumështit.
EO: Sa jeni të shtrirë në tregun vendor me produktet të cilat ju i prodhoni?
Berisha: Ne me produktet e tona jemi të shtrirë thuajse në gjithë qytetet e Kosovës, por më tepër jemi prezent në qendër në Prishtinë. Kemi më shumë marrëveshje me hiper-marketet e mëdha dhe disa markete të vogla, gjithashtu punojmë edhe me restorante dhe me shitore të tjera sipas nevojave të tyre. Normal që kemi edhe vështirësitë tona gjatë procesit të distribuimit, gjithashtu kemi edhe probleme rreth asaj që produktet e qumështit nuk i nënshtrohen ruajtjes, e cila duhet të jetë adekuate. Produktet e qumështit në përgjithësi, ju siguroj që gjatë verës, në përgjithësi të cilat prodhohen në Kosovë ruhen në kushte jo adekuate, jashtë frigoriferëve. Ato duhet të qëndrojnë në temperaturë deri në katër gradë në mënyrë që ato të ruajnë gjendjen e tyre se çfarë e kanë. Kemi edhe probleme të tjera, të ndryshme të cilat e rëndojnë sektorin, por nëse merret parasysh gjendja në të cilën jemi momentalisht edhe në të kaluarën kemi një progres të madh.
EO: A mund të na thoni se a mundet që produktet të cilat vijnë nga jashtë të zëvendësohen me produktet vendore të Kosovës?
Berisha: Po ky është synimi i të gjithë prodhuesve dhe përpunuesve në përgjithësi, jo vetëm të qumështit, por edhe produkteve të tjera bujqësore. Mendoj se në qoftë se kish me pas një qasje më ndryshe të gjithë konsumatorëve, duke pasur interes të gjithëve, me produkte të qumështit ne kishim mundur shumë lehtë që t’i zëvendësojmë të gjitha produktet që vijnë nga importi, por dihet se sektori i qumështit dhe prodhuesit, përpunuesit në Kosovë janë industri të reja, krahasuar me industritë të cilat ne i kemi në konkurrencë në përditshmëri në Kosovë, dhe në bazë të konkurrencës që kemi ne mundohemi që me punën dhe kualitetin e produkteve çdo ditë të sjellim konsumator të rinj. Dhe mendoj se duke marrë parasysh gjendjen momentale, ne kemi një vend të përfitimit të konsumatorëve dhe viteve të fundit them me përgjegjësi të plotë se ne kemi përfituar diku mbi 20% të konsumatorëve të cilët më herët nuk i kemi pasur. Rënia e importit në krahasim me vitet e kaluara është më e vogël në produktet e qumështit.
EO: A po krijojnë probleme produktet të cilat po vijnë nga jashtë?
Berisha: Po sigurisht se po krijojnë probleme të mëdha duke marrë parasysh shumë produkte që vijnë në çmimin e njëjtë me koston e prodhimit, si këtu edhe jashtë. Ne kemi produkte të cilat në shtetet e origjinës nga vijnë kanë një çmim shumë më të lartë, ndotsha 200 për qind më të lartë se sa që shitet në Kosovë, dhe mendoj se këtu do jetë një bashkëpunim më i madh ndërmjet nesh dhe institucioneve përkatëse që të aplikojnë masa mbrojtëse për produktet të cilat shiten në Kosovë nën koston e prodhimit dhe neve na sjellin probleme shumë të mëdha. Këtu sigurisht që vjen shprehje edhe pamundësia e institucioneve tona që t’i përkrahin me subvencione dhe përkrahje të tjera të cilat i kanë prodhuesit e regjionit të cilat i kanë përkrahjet shumë të madhe nga shtetet e tyre dhe kjo është njëra nga arsye që ata i bënë shumë më konkurrent në krahasim me neve këtu në Kosovë.
EO: Sa ka ndikuar pakoja fiskale në sektorin e qumështit?
Berisha: Sigurisht që çdo lëvizje pozitive sa i përket politikave fiskale është në dobi të fermerëve, prodhuesve dhe përpunuesve. Kemi disa pika që i kemi realizuar së bashku me institucioneve në bazë të kërkesave që ne si shoqatë i kemi bërë, por ka edhe pika të tjera të cilat janë të nevojshme të arrihen në të ardhmen. Deri më tani ne kemi arritur në bashkëpunim me institucionet të heqim për shembull doganën, TVSh-në për makineritë përpunuese dhe prodhuese në përgjithësi. Kemi hequr për shembull TVSh-në po ashtu edhe për import, sepse Kosova pas luftës ka pasur nevojë për import të bagëtive, duke marrë parasysh fondin shumë të paktë, i cili ka mbet pas luftës. Ka edhe shumë pika të tjera që kanë mbetur të cilat mendoj që në të ardhmen së bashku me institucionet është më se e domosdoshme të rregullohen.
EO: A duhet të ketë ndryshime kjo Pako e re Fiskale?
Berisha: Po mendoj se gjithmonë ka vend për përmirësime dhe mendoj se në bashkëpunim dhe në komunikim me institucionet ne si shoqatë duhet t’i prezantojmë nevojat tona të cilat janë për të ardhmen dhe bashkërisht tjetër zgjidhje nuk kemi dhe duhet që të bëjmë përmirësime.
EO: Me çfarë barrierash ballafaqoheni gjatë prodhimit të produkteve të cilat i keni?
Berisha: Siç dihet infrastruktura në përgjithësi në Kosovë është e mangët sa i përket zhvillimit të biznesit. Duke filluar për shembull nga: uji, rryma, kanalizimi, këto janë disa nga elementet bazë që ndikojnë direkt në infrastrukturë. Për shembull sot momentalisht tërë ditën nuk kemi rrymë. Sigurisht që mungesa e rrymës ndikon direkt në prodhim dhe kualitet, sepse nëse ruajtja e produkteve nuk bëhet në kushte adekuatë atëherë ajo direkt ndikon në kualitet dhe gjithmonë konsumatori e fajëson prodhuesin ose përpunuesin. Kemi probleme edhe me shitjen e produkteve dhe me trajtimin e tyre. Kështu në përgjithësi në treg në zinxhirin e super-marketeve në Kosovë ne shpesh e kemi prezantuar këtë pikë si një problem kyç edhe nëpër institucione përmes inspektorateve që ua ndalojnë atyre shitoreve të cilat nuk trajtojnë produkte ashtu siç duhet. Të ndalojnë shitjen e qumështit sepse kjo krijon një imazh shumë të keq edhe në përgjithësi të produktit vendor. Sepse në rast produkti është i prishur si pasojë e mos ruajtjes adekuate nga shitësi, atëherë normal se konsumatori gjithmonë e fajëson prodhuesin dhe përpunuesin, dhe i refuzon produktet vendore pa fajin e prodhuesve dhe përpunuesve. Pastaj kemi mangësi në sektorin e pagesave. Pagesat nuk bëhen në kohë, nëse ne dëshirojmë të intervenojmë mes përmbaruesve dhe pronarëve, procedurat tejzgjatjen saqë efekti i tyre është shumë i vogël dhe mendoj se edhe këtu duhet të ndërhyjnë institucionet sa më shpejt, sepse kemi probleme të mëdha sa i përket kësaj pike. Kontekstet politike të zgjidhen brenda një periudhe dy ose 3 mujëve.
EO: Si qëndroni me eksport, apo mund t’i prezantoni produktet e juaja në tregjet e jashtme?
Berisha: Normalisht secili përpunues ka synim edhe eksportin e produkteve që përpunon. Ne kemi synim, por që momentalisht nuk jemi duke eksportuar. Si fillim kemi për qëllim tregun e brendshëm. Me rritjen e konsumatorëve tanë dhe përfitimi i tregut të cilin ne e kemi ne derë, mendoj nëse na jepet mundësi do të provojmë që të eksportojmë edhe produktet tona?
EO: Sa po mbrohen konsumet e qumështit në Kosovë?
Berisha: Deri më tash nuk ka ndonjë mbrojtje të veçantë të cilën kisha mund të përmendi përpos në rastin e marrëveshjes të MSA produktet e qumështit në përgjithësi nuk kanë hyrë në atë marrëveshje dhe nuk janë liruar nga Dogana. Ky pra ka qenë një komunikim i mirë, dhe mund të them se është një kontribut i Shoqatë së Prodhuesve të Qumështit në përgjithësi. Në komunikim me institucionet kemi kërkuar nga ata që produktet e qumështit për një periudhë të mos hyjnë në atë pako dhe këtë kemi arritur. Produktet e qumështit në përgjithësi nuk janë në mesin e produkteve të tjera që janë liruar nga dogana dhe TVSh-ja dhe kjo është një mbrojtje goxha e mirë, e cila ndikon pozitivisht me prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit. Ky është një sektor i ri dhe duke marrë parasysh gjendjen e sektorit, derisa të krijojmë një bazë një qëndrueshmëri të këtij sektori të mos ketë një konkurrencë të cilën me të vërtetë e kemi nga konkurrentët e vendit dhe EU-së dhe mendoj që kjo ka ndikuar shumë pozitivisht në zhvillimin e më tejmë të sektorit.