Importi i veturave të reja rritet për 30 %

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 10:59 | Nga

Importuesit e veturave të reja kërkojnë heqjen e taksës doganore, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi më të mëdha për të blerë vetura më të sigurta në komunikacion dhe që ulin dukshëm ndotjen. Ndryshe, sipas të dhënave të doganave të Kosovës, sivjet ka rritje prej mbi 30 për qind të importit të veturave të reja.

Gjatë vitit aktual, është rritur importi i veturave të reja në raport me ato të vjetra në Kosovë. Përderisa vitin e kaluar, më pak se 10% kanë qenë vetura të reja nga totali i importit, sivjet kjo përqindje sipas të dhënave të Doganave është rritur në mbi 25%. Zëdhënësi Adriatik Stavileci për Radio Kosovën ka thënë se në këtë ka ndikuar ligji për ndalimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet.

“Kemi një rritje të importit të veturave të reja për 37% në krahasim me periudhën paraprake, por çka është me rëndësi të themi është ulje shumë të madhe prej 40% në aspektin e veturave të përdorura. Por gjithsesi që besojmë se ligji i fundit që ka hyrë në fuqi është duke prodhuar efekte të mira që të mbrojë edhe ambientin”, tha ai.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) para afro tri vitesh nuk ka ndikuar në hiqje të doganës gjatë importit të veturave të reja të prodhuar në Bashkimin Europian. Edhe më tej, për shumë vetura të reja paguhet taksë doganore, pranon zëdhënësi Stavileci.

“Brenda vitit mbërrin afërsisht 12-13 milionë euro pagesa doganore për automjete të reja që importohen. Kurse për automjete të përdorura shumë më e madhe sepse edhe sasia e këtyre automjeteve është shumë më e madhe, e qw brenda vitit pritet rreth 50 milionë euro”, thotë ai.

Por importuesit e veturave të reja kërkojnë të veprohet sikur në vendet rajonale, ku janë hequr taksat doganore për vetura të reja të prodhuara në Bashkimin Europian. Kryetari i shoqatës së importuesve të automjeteve të reja, Bujar Hoxha poashtu kërkon të hiqen taksat doganore edhe për vetura të reja të prodhuara jashtë BE-së, nëse posedojnë certifikatën e konformitetit, përkatësisht janë të dedikuara për tregun e BE-së.

“Kemi dëshirë kjo me ndodhë duke i dhënë mundësi klientëve që në vend se me ble vetura të vjetra të pasigurta, kishte me ndikua pozitivisht që në Kosovë me u rrit numri i veturave te reja”, ka thënë ai.

Në një prononcim për Radio Kosovën, ai ka thënë se është interes nacional ofrimi i mundësisë qytetarëve për blerje të veturave që janë më të sigurta në komunikacion, njëkohësisht ulin në mënyrë të dukshme ndotjen e ambientit. Ai njëherit shprehet kategorik kundër shfuqizimit të ligjit që ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vite.

“Jemi duke dashur të importojmë vetura të cilat në vendet e perëndimit në Gjermani, Zvicër do të kesh mundësi me i marr pa pare. Sepse ata janë duke i hequr, ai është në fakt bërllok i shteteve të Europës dhe ne jemi tu i hap dyert që ai bërllok me ardhë në Kosovë”, tha ai.

Në fakt, Gjermania është duke i stimuluar qytetarët e saj me nga 4 mijë euro nëse automjetin e vjetër të tyre e dorëzojnë për riciklim, e që ato automjete mund të përfundojnë shumë lehtë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme