Inaugurohet autostrada “Arbën Xhaferi”, ka urën më të gjatë në rajon 5.7 kilometra

Hani i Elezit | 29 Maj 2019 | 12:38 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është inauguruar autostrada “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e inaugurimit kanë marrë pjesë liderët e vendit, mysafirë të tjerë nga vendi dhe vendet e rajonit.

Autostrada “Arbën Xhaferi” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 706 milionë euro.

Kjo autostradë ka urën më të gjatë në rajon me gjatësi 5.7 kilometra pa ndërprerje kurse lartësia maksimale është 83 metra.

Thaçi: Autostrada “Arbën Xhaferi” projekti më madhor, kjo është Kosova evropiane

Presidenti Hashim Thaçi tha se përurimi i autostradës “Arbën Xhaferi” ka rëndësi të madhe për vendin.

Sipas tij, kjo autostradë është projekti më madhor i shtetit të Kosovës dhe se sot është një ditë e veçantë për edhe për rajonin, raporton Ekonomia Online.

“Sot për përurojmë një nga projektet më madhore të shtetit të Kosovës, urën më të gjatë në rajonin tonë. Një investim që ia ka vlejtur”.

“Një Kosovë e lirë edhe e pavarur edhe duhet të zhvillohet. Nëse dje kemi ëndërruar një Kosovë të tillë sot e kemi realitet. Kjo është Kosova e re e zhvilluar, moderne dhe evropiane”.

Veseli në përurimin e autostradës “Arbën Xhaferi”: Kosova faktor stabiliteti që po ndërton ura

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në përurimin e autostradës “Arbën Xhaferi, tha se Kosova është faktor stabiliteti që po ndërton ura, raporton Ekonomia Online.

 “Te Kosova gjithmonë do të gjeni një partner të sinqertë dhe bashkëpunues. U jemi falënderues kryeministrave të vende fqinje. Nuk do ta harrojmë kontributin tuaj pozitiv për vendin tonë”.

“Kosova është e fuqishme edhe të krijojë mrekulli të cilat nuk i kemi në Ballkanin Perëndimor”.

Veseli shtoi se tash do të jetë orientimi kah zhvillimi ekonomik dhe kah sundimi i ligjit dhe rendit.

“Është interes strategjik i Kosovës që të lidhet me autostradë edhe me Malin e Zi”, tha Veseli.

Haradinaj: Paratë për ndërtimin e autostradës u shpenzuan në përputhje me ligjin

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e përurimit të autostradës “Arbën Xhaferi” ka thënë se kjo vepër moderne i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por edhe tërë rajonit.

“Është privilegj të jemi bashkë në hapjes e kësaj vepre madhore që na ofron me njëri tjetrin dhe na bashkon me Evropën”, tha ai.

Haradinaj ka thënë që përkundër sfidave që kanë hasur nuk janë ndalur deri në përfundimin e autostradës.

“Përkundër sfidave ne nuk jemi ndalur, falënderojmë edhe Bechtel Encan për këtë punë që kanë bërë”, tha ai.

Tutje, i pari i Qeverisë tha se paratë me të cilat është ndërtuar autostrada janë të taksa paguesve, në përputhje me obligimet ligjore.

“Janë pare të taksa paguesve të qytetarëve të Kosovës është bë kujdes që ky  investim të jetë në përputhje me obligimet ligjore”, shtoi ai.

Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Pal Lekaj, i cili ka bërë përurimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ka thënë se kjo autostradë e lidhë Kosovën edhe me korridorin e dhjetë.

“Në këtë projekt është punuar për pesë vjet rresht. I falënderojmë djem dhe vajza kontributdhënës për punën e shkëlqyer dhe me dhimbje i kujtojmë ata që e kanë humbur jetën gjatë punimeve”.

“Ndjehuni krenarë për këtë kryevepër që ia keni dhënë Kosovës. Ju uroj për këtë vepër madhore dhe qytetarët tanë shpresoj që të kalojnë pa aksidente në këtë pjesë. Gëzuar e gëzofshim së bashku”, tha ai.

Zoran Zaev: Së shpejti hapet tenderi për Autostradën Shkup-Bllacë

Përurimi i Autostradës “Arbën Xhaferi”, bëri që në Kosovë të vijë edhe Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev.

Kryeministri maqedonas tha se këtyre ditëve do të hapin tenderin për të përfunduar autostradën nga Shkupi deri në Bllacë, e cila pritet të kushtojë mbi 1 milion euro, raporton Ekonomia Online.

“Emri që përurohet sot është i një emri të madh siç është Arbën Xhaferi, njeriu që dha shumë jo vetëm për vendin tonë. Kjo është një rrugë moderne që e lidh rajonin dhe që na shtyn edhe neve që këto ditë të hapim tenderin për autostradën Shkup-Bllacë, më gjatësi 14 kilometra , me buxhet prej 1 milion e 700 mijë”, tha ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet, tha se ndihet i privilegjuar për pjesëmarrjen në përurimin e kësaj autostrade.

“Është një privilegj i madh të jemi këtu në përurimin e këtij projekti të madh i cili është punuar nga më shumë se 9 mijë punëtorë”, tha ai.

Në këtë përurim i pranishëm ishte edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi dhe  Kryeministri i Malit të Zi. Ndonëse ishin të ftuar, ftesës për këtë përurim nuk i janë përgjigjur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe as përfaqësues tjerë të ftuar nga ky vend.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/704059680053213

Të ngjashme