Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të projektit të zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në Sallën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, investim ky realizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë te Energjisë, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, që ka vlerën afër 500 mijë euro.
Kryeministri fillimisht, duke folur mbi benefitet e efiçencës elektrike, vuri në pah faktin se Strategjia për Energjinë, konkretisht rritja e efiçencës elektrike mbetet ndër synimet kryesore të Qeverisë. Kjo edhe për faktin që shteti ynë ka një intensitet elektrik rreth tre herë më të lartë se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në drejtim me këtë, kryeministri Kurti tregoi se kemi ndërmarrë një mori projektesh të orientuara në rritjen e efiçiencës së energjisë që kapin shifrën prej 30 milionë euro. Ai shtoi se vlera e 90 investimeve të tilla të realizuara në 22 komuna ka tejkaluar shifrën prej 12 milion eurosh nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë, me një kursim të pritur prej 65% apo mbi 21 GWh/vit.
Tutje, pasi që amvisëria është sektori më potencial për uljen e konsumit të energjisë, nga viti i kaluar kemi filluar me pilotimin e programit të parë të masave të efiçiencës së energjisë në këtë sektor e që përfshinë investime në vlerë 6 milionë euro, prej nga kanë përfituar 10,000 qytetarë. Nga ky sukses, kryeministri tha se do të planifikojmë edhe një investim tjetër në vlerën prej 30 milionë euro, i cili mundësohet falë Komisionit Evropian nga fondet e IPA të Pakos Emergjente për Energji.
Ndërkaq, për renovimin e Sallës së Sporteve në Ferizaj me sipërfaqe prej afër 3,000 m2 e me një kapacitet prej 1,800 ulëse, kryeministri tha se do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis, do të reduktojë kostot e energjisë, si dhe do të përmirësojë ndjeshëm komfortin e brendshëm të ndërtesës dhe ndikojë në mirëqenien e sportistëve si dhe dashamirëve të sportit.
“Vlerësohet se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë në kursime të energjisë prej rreth 52% te konsumit bazë, pra më shumë se gjysma. Në të njëjtën kohë, ato do të kenë ndikime pozitive si për ambientin ashtu edhe për sportistët, me rastin e zëvendësimit të sistemit të ngrohjes me lëndë djegëse naftë në atë me biomasë,” shtoi kryeministri duke besuar se sportistëve tanë do të ju sigurohen kushtet optimale për zhvillimin e aftësive sportive dhe arritjen e objektivave të tyre,
Në fund, kryeministri ritheksoi përsëri se Qeveria mbetet e përkushtuar për investime në masat e efiçiencës së energjisë, pasi që ndihmojnë në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër, promovon praktika të qëndrueshme dhe burime të pastra të energjisë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë në Republikën e Kosovës,
I nderuari Agim Aliu, Kryetar i Komunës së Ferizajt,
I nderuari Ahmet Ismajli, Drejtor i Fondit të Kosovës për Efiçiencë,
I nderuari Massimiliano Paolucci, nga Banka Botërore,
I nderuari Alessandro Biancardi, nga Zyra e Bashkimit Evropian,
Të nderuar drejtorë,
Zonja dhe zotërinj,
Sportistë, të rinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kam kënaqësinë që sot po marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të projektit të zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në Sallën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj.
Efiçienca e energjisë nuk nënkupton thjesht ta ulësh konsumin e energjisë. Përveç se ndikon në uljen e kostove financiare për familjet dhe ekonominë tonë, efiçienca e energjisë gjithashtu ndikon në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe uljen e importit të energjisë elektrike.
Në vendin tonë, intensiteti energjetik është rreth tre herë më i lartë sesa në krahasim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton se për të prodhuar një njësi të GDP-së, ne shpenzojmë tre herë më shumë energji.
Për Qeverinë tonë, një nga synimet tona kryesore është rritja e investimeve në efiçiencën e energjisë. Këtë e kemi dëshmuar edhe me vendosjen e targeteve ambicioze në Strategjinë tonë të Energjisë, e cila tashmë është aprovuar edhe në Kuvendin e Republikës.
Deri më tani, kemi ndërmarrë një mori projektesh të orientuara në rritjen e efiçiencës së energjisë, të cilat kapin shifrën prej 30 milionë euro, e që kanë qenë të fokusuara kryesisht në sektorin publik. Vetëm nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë, gjatë këtyre dy viteve, vlera e investimeve i ka tejkaluar 12 milionë euro dhe përfshin 90 projekte në 22 komuna. Prej tyre më shumë se gjysma kanë përfunduar dhe të tjerat pritet të përfundojnë këtë vit, me një kursim të pritur prej 65% apo mbi 21 GWh/vit energji.
Marrë parasysh faktin që konsumuesit më të lartë të energjisë janë sektori rezidencial, respektivisht amvisëria, kemi parë që ky sektor përbën edhe sektorin me potencialin më të lartë për uljen e konsumit të energjisë. Andaj, nga viti i kaluar kemi filluar me pilotimin e programit të parë të masave të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial, që ka përfshirë investime në vlerë 6 milionë euro, prej nga kanë përfituar 10 mijë qytetarë.
Suksesi i këtij programi ka bërë që edhe për këtë vit të planifikojmë investimin e madh në sektorin rezidencial, në vlerën prej 30 milionë euro, investim ky i cili mundësohet falë Komisionit Evropian nga fondet e IPA të Pakos Emergjente për Energji.
Sot jemi këtu në Sallën e Sporteve e cila ka një sipërfaqe prej afër 3,000 m2 dhe shfrytëzohet nga mbi 35 klube sportive të qytetit e më gjerë, me një kapacitet prej 1,800 ulëse. Me mijëra është numri i përfituesve nga ky investim, si përfitues edhe direkt edhe indirekt, që shkojnë në dobi të jetës sportive dhe kulturore. Renovimi i një salle kaq të madhe sportive do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis, do të reduktojë kostot e energjisë, si dhe do të përmirësojë ndjeshëm komfortin e brendshëm të ndërtesës dhe ndikojë në mirëqenien e sportistëve si dhe dashamirëve të sportit.
Më e rëndësishmja nga ky investim është se sportistëve tanë do të ju sigurohen kushtet optimale për zhvillimin e aftësive sportive dhe arritjen e objektivave të tyre, rezultateve gjithnjë e më të mëdha.
Ky investim është realizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë te Energjisë, përmes një bashkëpunimi të mirë me Komunën e Ferizajt, dhe ka vlerën afër 500 mijë euro (484,626.70 €).
Vlerësohet se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë në kursime të energjisë prej rreth 52% te konsumit bazë, pra më shumë se gjysma. Në të njëjtën kohë, ato do të kenë ndikime pozitive si për ambientin ashtu edhe për sportistët, me rastin e zëvendësimit të sistemit të ngrohjes me lëndë djegëse naftë në atë me biomasë. Pra, më pak konsum e shpenzime të energjisë, në mjedis më të pastër e më të shëndetshëm.
Për fund, dua të them se si Qeveri, si institucione, së bashku me partnerë e donatorë jemi të përkushtuar për investime në masat e efiçiencës së energjisë. Ato i shohim si element thelbësor të strategjisë sonë të energjisë e që ndihmojnë në rrugën tonë të përbashkët drejt tranzicionit të gjelbër, promovon praktika të qëndrueshme dhe burime të pastra të energjisë.
Ju faleminderit dhe e gëzofshi