Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosova organizuan ceremoninë inauguruese të Punëtorisë “Made in Kosova”, raporton Ekonomia Online.
Punëtoria “Made in Kosova” synon të arrijë objektivat kryesore: krijimi dhe ngritja e vetëbesimit si dhe marrja e përgjegjësive tek të rinjtë; të mësuarit mbi njohuritë bazike teknike; nxitja e kreativitetit, mendimit inovativ dhe zgjidhja e problemeve, informim dhe përgatitje për orientimin në karrierë në të ardhmen.
Programi u hap me një pikë vallëzimi nga balerinat e SOS Fshatit.
Drejtoresha Nacionale e SOS Fshatit, Nezahate Salihu, tha se është një projekt që ka të bëjë me punëtoritë “Made in Kosova”, projekt që hapet me përkrahjen e Klubit të Prodhuesve.
Sipas saj, ky projekt ka të bëjë me hapjen e tri klasave.
“Punëtoria “Made in Kosova” do të organizohet përmes programeve pas shkollore alternative për fëmijët dhe të rinjtë të moshës 8 deri 21 vjeç dhe do të ketë përmbajtën në vijim: klasa e drurit; klasa metalike; programim 3D dhe klasa për origami” tregoi ajo.
“Përmes këtij projekti synojmë të rrisim vetëbesimin e të rinjve tanë, të sigurojmë një kulturë tek ata qe të punojnë të krijojnë një mjedis të lirë te mësimnxënies, të përkrahim sistemin edukativ të gjeneratave të reja, të promovojnë qasje pjesëmarrëse dhe të promovojë programin që ka të bëjë me shkencë, teknologji e informatike”, tha ajo.
Ajo shpreson që në të ardhmen të gjithëve do iu mundësohet të gjithë fëmijëve për aftësim profesional dhe ky projekt do të bëhet pa pagesë.
“Shpresojmë të ofrojmë në të ardhmen diçka më të mirë”, përfundoi drejtoresha.
Kryetari i Bordit në Klubin e Prodhuesve, Fejzullah Mustafa, tha se ja vlen që të rinjtë të aftësohen në një drejtim që nuk e kanë pasur deri më tani.
“Përgëzime për hapjen e kësaj punëtorie. Klubi përveç aktiviteteve dhe punëve ka filluar të zgjerohet edhe puna në SOS Fshat, përveç këtij do të jeni të orientuar gjithmonë përkrah ideve dhe mundësive që ofron klubi. Sos ja vlen që punëtorët e rinj të aftësohen në një drejtim që se kanë pasur deri më tani. E rëndësishme fëmijëve t’iu ofrohet një punë, një shprehi qe t’iu mbet edhe në të ardhmen. Punë e aftësim të mbarë të rinjve, të trajnohen në mënyrë më të mirë”, u shpreh ai, raporton EO.
Drejtori ekzekutiv nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, shpreson që këta të rinj një ditë të punojnë në fabrikat e tyre.
“Sot na ka marr një mot i mirë, i ngrohtë si këtu atmosfera në SOS Fshat. E rëndësishme të falënderojë partnerin tonë nga Turqia që na ka mundësuar sjellje e pajisjeve.
Ne kemi sugjeruar fshatin që ky projekt të realizohet . Po ndihem shumë mirë që pas një periudhe një vjeçare që kemi punuar po fillojmë me punëtorinë “Made in Kosova”. Shpresojmë që këta të rinj do të punojnë në fabrikat tona”, u shpreh ai.
Trajnuesi Hajdar Beqa prezantoi disa nga punimet e drurit të cilat i kanë bërë fëmijët e SOS Fshatit.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me fondacionin ERTEV është angazhuar që përmes punëtorisë “Made in Kosova”, të ndihmojë fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të cilët përkrahen nga programet e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, raporton EO.
Punëtoria është krijuar me qëllim të socializmit, ndërgjegjësimit dhe edukimit të të rinjve në orientimin e karrierës.