Situata në rajonin e Gjirit është përshkallëzuar sërish me incidentin e fundit që ka përfshirë këtë radhë një anije cisternë britanike. Mjetet lundruese iraniane janë përpjekur ta ndalojnë cisternën përpara se të dëboheshin nga një anije e marinës Mbretërore. HMS Montrose u pozicionua midis tre anijeve të Republikës Islamike dhe cisternës British Heritage përpara se të lëshonte disa paralajmërime verbale.
Veprimin e iranianëve, një zëdhënës i Qeverisë britanike e cilësoi si “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. Por Irani e mohoi përpjekjen e konfiskimit, e kjo në një kohë kur herët kishte kërcënuar të hakmerret për sekuestrimin e njërës prej anije të veta cisternë.
Sipas njoftimeve në mediat amerikane, të cilat citonin disa zyrtarë të lartë amerikanë, anijet që besonin se i përkisnin Trupave të Gardës Revolucionare iraniane iu afruan British Heritafe ndërsa ajo po lëvizte në Ngushticën e Hormuzit.
Javën e kaluar marina mbretërore britanike i ndihmoi autoritetet në Gjibraltar të kapin një anije cisternë të Iranit, me argumentin se kishte prova që dëshmonin se ajo po i drejtohej Sirisë, duke shkelur kështu sanksionet e Bashkimit Evropian.