Incidente ndërmjet mbështetësve të qeverisë dhe opozitës në Podgoricë

Prishtinë | 01 Sht 2020 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Në Podgoricë të Malit të Zi, të hënën vonë, pati përleshje midis mbështetësve të qeverisë dhe opozitës, të cilët festonin fitoren në zgjedhje.

Policia reagoi, për të penguar konfrontimet e mëtejshme.

Në vendin e incidenteve, në qendër të qytetit, u panë edhe auto-ambulanca.

Policia ende nuk ka njoftuar nëse ka të lënduar.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht dhe, sipas rezultateve paraprake, ato u fituan nga partitë opozitare, të cilat janë pro-serbe dhe pro-ruse.

Pas incidenteve, udhëheqësi i koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, u bëri thirrje mbështetësve që të festojnë në shtëpi.

“Ne nuk qëndrojmë pas asnjë tubimi, nuk duam trazira, nuk duhet të irritojmë askënd. Le të qëndrojmë të qetë, le të qëndrojmë në shtëpi”, tha ai përmes një postimi në Facebook.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila aktualisht është në pushtet, tha se mbështetësit e opzoitës, në disa qytete të Malit të Zi, kanë organizuar tubime, gjatë të cilave, “qytetarët janë provokuar në mënyrë agresive, me parulla nacionaliste”.

DPS tha se do të informojë Misionin Monitorues të OSBE-së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për incidentet.

Jashtë Podgoricës, mbështetësit e opozitës organizuan tubime edhe në qytete të tjera të Malit të Zi: Tivar, Bijello Pole, Berane dhe Danillovgrad.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme