Personi i cili dyshohet se goditi me një makinë të tipit fuoristradë, të cilën e ngiste me shpejtësi, me dhjetëra njerëz në një paradë Krishtlindjesh në Uiskonsin sapo ishte larguar nga një sherr në familje. Ai do të akuzohet për vrasjen me dashje të pesë personave njoftuan të hënën autoritetet.
Policia tha gjithashtu se incidenti nuk ishte një akt terrorist.
“Kemi informacione se i dyshuari para incidentit, ishte përfshirë në një sherr në familje“, tha shefi i policisë së Uaukeshës, Daniel Thompson në një konferencë për shtyp.
Si pasojë e futjes së automjetit me shpejtësi mes turmës së njerëzve, dyzet e tetë persona, përfshirë fëmijë, mbetën të plagosur, ndërsa 5 të tjerë humbën jetën.
Hetimet nga autoritetet lokale po mbështeten edhe nga FBI-ja.
Shefi i policisë së Uakeshas, Daniel Thompson, e identifikoi personin që ndodhet aktualisht në paraburgim, si Darrell E. Brooks, 39 vjeç.
Nga një kërkim në internet në dosjet e gjykatës ekziston një çështje penale e hapur kohët e fundit ndaj një personi të quajtur Darrell Brooks, po 39 vjeç.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ai akuzohet për refuzim dhe pengim të punës së një oficeri policie, mosparaqitje në gjykatë e sulm ndaj një personi. Po sipas të dhënave të gjykatës, ai është liruar me kusht, pasi ka paguar një shumë prej 1000 dollarësh.
Zyra e Prokurorit të Qarkut Miluaki lëshoi një deklaratë të hënën duke detajuar akuzat kundër Darrell Brooks dhe tha se po kryente një shqyrtim të brendshëm të vendimit që përfshin dhe rekomandimin për lirimin e tij me kusht. Sipas autoriteteve, rekomandimi i prokurorit për lirimin me kusht në këtë rast ishte i ulët dhe i papërshtatshëm në raport me akuzat e ngritura./VOA