INDEP: Vendimmarrja jo-transparente e ZRRE-së dhe ndryshimet tarifore në mes të sezonit cenojnë të drejtat e konsumatorëve

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka shprehur shqetësimin në lidhje me mënyrën se si Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale dhe tarifat për e energjisë termike për sezonin 2025/2026 pa një proces të plotë konsultimi, e pa cka thonë se ndryshimi i tarifave në mes të sezonit të ngrohjes, pa publikim paraprak të dokumentacionit dhe pa konsultim publik sipas procedurave të parashikuara në Nenin 3 dhe Nenin 4.4, shton pasiguri dhe vështirëson planifikimin financiar të familjeve dhe bizneseve.

Me këtë rast INDEP  kërkon nga ZRRE që pa vonesë të publikojë të gjithë dokumentacionin përkatës, të zhvillojë konsultim publik substancial dhe të rishikojë praktikën e ndryshimeve tarifore gjatë sezonit.

Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje:

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si ZRRE ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale dhe tarifat e energjisë termike për sezonin 2025/2026, pa një proces të plotë konsultimi publik dhe pa publikimin e dokumenteve shoqëruese. Vendimet janë marrë më 30 dhjetor, në prag të fundvitit, ndërsa deri më sot nuk janë bërë publike në faqen zyrtare, duke pamundësuar shqyrtimin e pavarur nga konsumatorët, shoqëria civile dhe palët e interesit.

Në vitet e kaluara, ZRRE ka publikuar në mënyrë sistematike dokumente si: vendimet për tarifat, raportet rregullative për përcaktimin e tyre, vendimet për të hyrat maksimale të lejuara, raportet rregullative për të hyrat, si dhe aplikacionet tarifore të ndërmarrjeve. Për sezonin 2024/2025 ishin të disponueshme publikisht dokumentet për NQ Termokos dhe NQ Gjakova, përfshirë edhe draft-raportet mbi të hyrat e lejuara. Krahasuar me këtë praktikë të konsoliduar, mungesa totale e dokumentacionit për sezonin aktual paraqet një regres të dukshëm në transparencë.

Rregulla ZRRE/Nr. 01/2022 përcakton shprehimisht se çdo ndryshim në çmime për prodhim, shpërndarje dhe furnizim të energjisë termike duhet t’i nënshtrohet konsultimit publik (Neni 3), ndërsa pas pranimit të aplikacioneve tarifore ZRRE ka obligim të publikojë dokumentet relevante, draft-vendimet dhe aktet shoqëruese, si dhe të zhvillojë konsultim publik me palët e interesit (Neni 4.4). Mospërmbushja e këtyre detyrimeve bie ndesh me standardet e transparencës të parashikuara edhe nga Ligji për Rregullatorin e Energjisë (Neni 27) dhe rrezikon legjitimitetin e vendimmarrjes rregullatore në një sektor që funksionon si monopol natyror.

Ndryshimi i tarifave në mes të sezonit të ngrohjes, pa publikim paraprak të dokumentacionit dhe pa konsultim publik sipas procedurave të parashikuara në Nenin 3 dhe Nenin 4.4, shton pasiguri dhe vështirëson planifikimin financiar të familjeve dhe bizneseve. Edhe në rastet kur disa komponentë paraqesin ulje, mungesa e njoftimit të hershëm dhe e arsyetimit publik krijon paqartësi dhe rrit rrezikun për keqkuptime në faturim, në kundërshtim me parimet e parashikueshmërisë dhe stabilitetit tarifor që synon vetë rregullorja.

INDEP kërkon nga ZRRE që pa vonesë të publikojë të gjithë dokumentacionin përkatës, të zhvillojë konsultim publik substancial dhe të rishikojë praktikën e ndryshimeve tarifore gjatë sezonit. Rikthimi tek standardet e transparencës, mos-diskriminimit dhe informimit është thelbësor për mbrojtjen e interesit të konsumatorëve dhe për forcimin e besimit në procesin rregullator.

Të ngjashme