India fillon dhënien e vaksinave përforcuese ndërsa rastet e COVID-19 rriten
India ka filluar të japë doza përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për grupet me prioritet mes një rritje të infeksioneve.
Punonjësit shëndetësorë dhe personat mbi 60 vjeç me sëmundje shoqëruese aktualisht kanë të drejtë të marrin injektimin. Aktiviteti filloi ndërsa India lufton me një rritje të rasteve me koronavirus të nxitura nga varianti Omicron.
Në Indi, vaksina përforcuese, e quajtur “dozë paraprake” nga kryeministri Narendra Modi, do të jetë e njëjta vaksinë që iu dha një personi për dozat e para dhe të dyta.
India ka administruar kryesisht dy vaksina të prodhuara në vend, Covishield dhe Covaxin, që kur nisi aktiviteti i saj i vaksinimit në janar 2021, shkruan BBC.
Të dielën, India raportoi më shumë se 179 mijë infeksione të reja për 24 orët e fundit. Qeveria kishte filluar administrimin e vaksinave për 15-18-vjeçarët javën e kaluar, derisa është raportuar se 31% e indianëve në këtë grupmoshë kanë marrë dozën e parë deri më tani.
Më shumë se 91% e të rriturve janë vaksinuar pjesërisht deri më tani, ndërsa 66% i kanë marrë të dyja dozat. Por ekspertët thonë se kjo lë ende në rrezik miliona njerëz të pavaksinuar, shumë me probleme shëndetësore.