Kryeministri Narendra Modi ka lajmëruar se India do të kryejë një fluturim në hapësirë deri në 2022.
Por, a është e gatshme India të shkojë në hapësirë. Shkencëtarët në organizatën indiane të kërkimeve hapësinore, thonë se kanë nevojë për 1.28 miliardë dollarë për të realizuar sfidën e Modit dhe mendojnë se mund ta realizojnë fluturimin brenda 40 muajsh.
Ata shpresojnë se raketa më e madhe e vendit, Geosynchronous Satellite Launch Vehicle Mark III or GSLV Mk-III – do të mund ta kryejë misionin. Raketa 640 tonëshe dhe 43 metra e lartë, është lançuar më herët me sukses në 2017. Ajo mund të lancojë një kapsulë 10 tonëshe në orbitën e poshtme të tokës, në një lartësi prej 2 mijë kilometrash ose më pak, që është e mjaftueshme për të dërguar një ekuipazh në hapësirë.
Me disa modifikime, vendi i Lançimit në afërsi të gjirit të Bengalit, mund të përdoret edhe për të nisur astronautët në hapësirë. Sidoqoftë, India ende nuk ka kapacitet të plotë për trajnimin e astronautëve, dhe ekspertiza e agjencive të tjera është e nevojshme.
Indiani i parë që ka fluturuar në hapësirë është Rakesh Sharma, në 1984, në bordin e një anije sovjetike. Deri më sot, Rusia, SHBA dhe Kina kanë dërguar astronautë në hapësirë.
Nëse India do të mund ta realizojë këtë, do të bëhet vendi i katërt në botë që dërgon njerëz në hapësirë. India në fakt e ka një histori suksesi në hapësirë me 104 satelitë të lëshuar në një mision të vetëm në 2017, duke kapërcyer rekordin e 37 satelitëve nga Rusia, në 2014.
Dështimi nuk është një opsion- thonë ndërkohë shkencëtarët indianë për këtë ambicie më të fundit të vendit.