Vala e dytë e koronavirusit në Indi vazhdoi ta kaplojë shtetin me popullsinë e dytë më të madhe në botë. Të shtunën, atje u regjistruan hiç më pak se 257 mijë raste për 24 orë.
Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve shkoi në 26.3 milionë persona. Kjo shifër e bën Indinë një ndër shtetet më të prekura në botë.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 4.194 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve nga pandemia e koronavirusit në Indi shkoi në 295.525, shkruan Reuters.
Shifra ditore e rasteve e ka kaluar kulmin e valës së parë të pandemisë, e cila u shënua në shtatorin e vitit të kaluar. Për këtë arsye, autoritetet në shumë shtete kanë urdhëruar masa të reja izoluese për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
India ka një ndër shifrat më të larta të personave të vaksinuar për Covid-19. Sidoqoftë, kjo shifër është akoma modeste në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë – 1.35 miliard.