Indonezia do t’u ofrojë sportistëve të saj që fitojnë medalje në Lojërat e Azisë gjatë dy javëve të ardhshme një mundësi për të pranuar punë në shërbimin civil në vend, apo t’i bashkohen policisë e ushtrisë. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët e vendit të martën.
Oferta vjen pas premtimit të kaluar që t’u jepen shtëpi dhe para fituesve të medaljeve të arta, shkruan sot Koha Ditore.
Indonezia shpreson të kapitalizojë në përparësinë e organizimit të Lojërave të Azisë duke u futur në Top 10 në tabelën e medaljeve për herë të parë që nga viti 1990. Indonezia shpreson të fitojë 16 medalje të arta.
“Përderisa ata të jenë shëndosh, medalistët mund të bëhen shërbyes civilë apo anëtarë të policisë e ushtrisë”, ka thënë Syafruddin, shef i misionit të Indonezisë në Lojërat e Azisë, që është edhe zëvendësshef i policisë.
Ministria e Rinisë dhe Sportit më herët ka thënë se gjithë “sportistët e jashtëzakonshëm” në Lojërat e Azisë dhe Lojërat Paralimpike të Azisë mund të bëhen kandidatë për shërbyes civilë dhe t’iu ofrohet banim.