Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar sot me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Sipas një njoftimi nga FFK-ja, Ademi i ka thënë Infantinos se “Kosova ka kaluar në një periudhë të vështirë nën okupim, por vullneti dhe përkushtimi i njerëzve e ka mbajtur gjallë frymën e futbollit dhe pranimi i futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA ishte gjëja më e drejtë që kanë marrë këto dy institucione”.
Ekipi kosovar më pas thuhet se e ka njoftuar Infantinon për zhvillimin e futbollit në Kosovë, përkushtimin në ngritjen e cilësisë së ligave, përkujdesjen dhe ngritjen e shkollave të futbollit, punën me të rinj e të reja, me theks të veçantë futbolli i femrave, zhvillimin e futbollit shkollor dhe përfshirjen e tyre në turnetë e ndryshme sikur edhe me nevoja të veçanta.
Po ashtu është diskutuar edhe për projektin Grassrotts, për zhvillimin e futsallit dhe ekipeve kombëtare.
Sot gjyqtarët e Kosovës janë pranuar në Konventën e Gjyqtarëve, dhe kjo sipas Ademit është nxitje e madhe nga FIFA.
Në anën tjetër, sipas FFK-së, Infantino është shprehur i kënaqur me arritjet në futbollin e Kosovës dhe premtoi mbështetje të pa rezervë për presidentin Ademi dhe FFK-në gjithnjë në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të futbollit.
“Ne do ta mbështesim presidentin Ademi në vizionin dhe strategjinë e tij përmes projekteve dhe me të gjitha mundësitë në mënyrë që t’i realizojë objektivat e tij. Për presidentin Ademi dhe FFK-në dyert e FIFA-s do të jenë gjithmonë të hapura”, theksoi Infantino.
Në fund të njoftimit theksohet se Ademi e ftoi presidentin Infantino që ta vizitojë FFK-në dhe Kosovën, “ftesë të cilën Infantino e pranoi me kënaqësi duke premtuar se në një kohë të përshtatshme kohore do ta vizitojë Kosovën”.