Infektologu Tolaj: Maskat dhe ora policore më s’kanë kuptim

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 23:36 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët e Kosovës janë të detyruar të mbajnë maskën edhe në ambiente të hapura, qoftë edhe nëse ecin vetëm.

Mirëpo një masë të tillë, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kohë që po kërkon të largohet.

Drejtori i këtij Asociacioni Sazan Ibrahimi thotë se një masë të tillë e kanë larguar edhe shtetet e rajonit.

“Sipas informatave që i kemi për situatën në rajon, në ambiente të hapura është duke u lejuar lëvizja pa maska pasi po konsiderohet se një gjë e tillë nuk është e nevojshme”, deklaroi Ibrahimi për RTV Dukagjinin.

Që këto masa duhet të largohen po pajtohet edhe infektologu Ilir Tolaj.

“Nuk ka kuptim tashmë që maskat të mbahen edhe në ambient të hapur, rrugë apo lokale, pasi që ashtu edhe në lokale nuk janë mbajtur deri me tani. Po ashtu nuk ka arsye që ora policore të qëndrojë edhe më tej. E rëndësishme është që të parandalohen tubimet në ambiente të mbyllura gjatë kësaj periudhe të dimrit”, deklaroi ai.

Ndërsa qytetarët kanë mendime të ndryshme se a duhet të mbahen ende këto masa apo të largohen.

“Mendoj se masat duhet të mbesin ën fuqi pasi duhet ruajtur popullata”, deklaroi qytetari Bajram Demaj. “Maska pak mbron. Qytetarët duhet të mbrohen vet”, shprehet Sylejmen Berisha.

“Për sigurinë dhe shëndetin tonë do të ishte më mirë që masat të mbesin ën fuqi”, shprehet qytetarja Avdije Useini.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se gjatë javës së ardhshme do të rishqyrtohen masat që janë në fuqi.

Të ngjashme