Infermierët ankohen për paga: Qeverisë i intereson më shumë pagesa e rrymës për serbët

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Infermierëve është shprehur e indinjuar me sjelljen e qeverive karshi tyre gjatë këtyre viteve, pasi sipas tyre, nuk po paguan dinjitetshëm.

Mentor Sejdiu nga kjo Sindikatë ka thënë se Qeveria aktuale më shumë është e interesuar që t’ua paguajë rrymën serbëve në veri, sesa të merret me personat që shpëtojnë një jetë. Sejdiu shton se kanë kërkuar që pagesa e kujdestarëve infermierë të dyfishohet, nga 18 në 36 euro.

“As që merren me këtë muhabet Qeveria. Asnjë qeveri nuk është marrë me ne, asnjëherë. Më interesant për ta është me pagu rrymën 11 milionë euro te serbët ose të diçka të palogjikshme, sesa te personat që shpëtojnë një jetë. Ne jemi lodhur. Edhe puna, angazhimi, dëshira ndaj pacientit nga infermieri ka rënë. Investohet në diçka që nuk ja vlen, ndërsa tek infermierët nuk i intereson”, ka thënë Sejdiu në emisionin SOT të KTV-së.

Sejdiu tregon se me ministrin e ri të Shëndetësisë, Rifat Latifi, nuk kanë pasur asnjë takim, madje as me ndonjërin prej ministrave të kaluar dhe një gjë e tillë, sipas tij, “është për të ardhur keq”.

“Me ministrin e ri nuk kemi pas asnjë takim. Ne as prej drejtorëve, as prej kryeinfermierëve, as prej ministrit, as prej zëvendësministrave, kurrë nuk na kanë thirr në një takim. Nuk iu ka interesuar asnjëherë që 20 vjet, prandaj është për të ardhur keq. Vet e kanë kuptuar se kush ka qenë heroi në këtë pandemi. Erdhën na shpallën hero dhe pastaj s’iu intereson asgjë. Këtyre iu intereson vetëm pushteti”, përfundoi ai.

Qeveria vendosi dje që t’u vazhdohet shtesa prej 10 për qind stafit shëndetësorë edhe për gjashtë muaj, mirëpo një gjë e tillë nuk është mirëpritur nga Këshilli i Specializantëve, që kanë paralajmëruar protestë për sot në ora 10:00.

Të ngjashme