Edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinës ka filluar procesi i votimeve për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendit të Odës së Infermierëve të Kosovës dhe organeve të reja të cilat do të kenë mandat 4 vjeçar, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Komisionit Zgjedhor të QKMF-së, Fatime Haziri, ka thënë se deri më tash kanë votuar një pjesë e vogël e infermierëve, ndërsa ka shtuar se do të jenë 7 kandidatë të përzgjedhur për Kuvendin e Odës së Infermierëve të Kosovës.
“Shpresojmë që deri në fund të plotësohet numri i votuesve dhe shpresojmë që të kalojë gjithçka në rregull. Kanë votuar diku 20 për qind deri tash, shpresoj që deri në mbrëmje të votojnë qind për qind.Nga QKMF-ja e Prishtinës jemi 429 infermierë që duhet të votojnë, në Kuvendin e Odave do të shkojnë 7 kandidatë prej QKMF-së së Prishtinës”, tha Haziri.
Sipas saj, për dallim nga hera e kaluar e zgjedhjeve, këtë herë janë më të organizuar.
“Herën e parë ka kaluar gjithçka mirë, mirëpo këtë herë jemi më të organizuar, më të përgatitur, shpresojmë që të shkojë gjithçka në rregull”, shtoi ajo, raporton EO.
Zarife Bytyqi, infermiere dhe kandidate në këto zgjedhje, është optimiste se do të fitojë këtë mandat.
“Është hera e parë që kandidoj me shpresën që kemi me ndiku pozitivisht në kualitetin e punës së infermierëve në Kosovë. Besojmë që ka me pasë punë edhe më të mira që kanë me u realizu. Po shpresojmë që çdo herë ka me pasë kualitet më të mirë, cilësi më të mirë”, tha ajo.
Publikimi i rezultateve do të bëhet pas numërimit të votave, pas orës 19:00 dhe rezultatet do të publikohen në faqen zyrtare të Odës së Infermierëve të Kosovës.