Infermieri kosovar i vendosur në vazhdimin e grevës së urisë, mirëpo punën nuk e ndal

Prishtinë | 13 Dhj 2020 | 15:01 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tash e katër ditë sekretari i Sindikatës së Infermierëve, Enlirat Duraku ka hyrë në grevë urie, mirëpo angazhimin dhe obligimet ndaj institucionit ku punon nuk i ka ndalur, raporton Ekonomia Online.

Ushtruesi i detyrës së kryeinfermier te Klinika Interne (Covid-3) në QKUK, tha se nuk dëshiron t’i obligojë kolegët e tij që t’i bashkëngjiten në nisjen e grevës së urisë.

“Ne si infermierë prej tetorit të vitit 2019 veç kemi filluar me kërku kërkesat tona legjitime pasi siç e kam cekë edhe unë është rritjen e pagesë së ndërrimeve të natës, pagesën e orëve shtesë dhe punës gjatë vikendeve, pagesën e rrezikshmërisë në punë, fillimisht unë s’kam dashtë m’i obligu edhe kolegët e tjerë edhe pse jam në cilësinë e sekretarit të Sindikatës së infermierëve, megjithëse dihet se greva e urisë është e rëndë, unë tash jam në ditën e katër në grevë urie, pa ushqim sigurisht që problemet shëndetësore janë evidente, si ato fizike si psikike, sa i përket reflektimit deri tani nuk ka pasur reflektim nga ana e institucioneve për këta, unë e kam cekë edhe në shkrimet e mia të mëhershme pavarësisht që greva e urisë nënkupton bojkotin e punës dhe të gjitha shërbimeve, pasi vendi ynë në gjendjen të cilën po kalon, unë nuk e kam pa të rrugës të bojkotojë punën, mirëpo në asnjë moment nuk do t’i ndali obligimet e mia dhe përgjegjësitë që i kam ndaj institucionit, qytetarëve dhe kolegëve”, tha ai për Ekonomia Online.

Tutje, Duraku theksoi se askush nga autoritete vendore nuk janë interesuar për gjendjen e tij prej ditës që ka vendosur të hyjë në grevë urie.

“Deri më tani nuk kam asnjë kontakte nga askush. Është dashtë që në fillim që kjo çështje të adresohet, pasi nuk është e lehtë për një infermier që punon në klinikat Covid të punojë në gjendjen sesi punojë unë. Ka pasë interesim edhe prej kolegëve të tjerë mirëpo unë nuk i kom obligu dhe nuk i kam ftuar që të më bashkëngjiten në grevë. Kjo grevë është personale për shkak të neglizhencës kontinuale të kërkesave tona. Unë e di që ministri Zemaj edhe ShSKUK-ja kanë bërë punë të mëdha, që kanë implikime shumë më të mëdha buxhetore sesa m’i rrit pagesën e infermierëve të orëve shtesë, edhe pagesën e rrezikshmërisë që herën e fundit u dëshmu që është diskriminuese pasi që edhe mjeku edhe infermieri kanë punuar në të njëjtin ambient, të njëjtit pacientë me të njëjtin virus, ndërsa kemi pasë dallime në shtesa për rrezikshmëri, mjeku është paguar 250 euro, ndërsa infermierët 150 euro”, u shpreh ai.

Në fund, Duraku u shpreh i vendosur në vazhdimin e grevës deri në realizimin e kërkesave të tij.

“Unë jam i vendosur që në asnjë moment dhe asnjë mënyrë nuk do ta ndali grevën deri në realizimin e kërkesave, pavarësisht a ka reflektim prej anës së ministrit dhe ShSKUK-së, apo bashkëngjiten kolegët apo jo, unë jam i vendosur që deri në fund nuk do ta ndërprej këtë grevë, në ditët e kaluara na kemi dëshmitarë që bordi i postës ka miratu pagesat për shefat ekzekutiv, ndërsa infermieri i cili në 7-8 orë nuk ka kohë as të ngopet me bukë, as të pijë ujë, të punojë me 18 euro”, tha në fund ai.

Të ngjashme