Pafundësia e asaj që mund të arrihet në muzikë eksplorohet përmes tingujve të ndryshëm. Dinamika ndryshon kohë pas kohe. Kur vjen me temp të shpejtë, krijohet atmosferë e ngrohtë. Në momentet kur meloditë vijnë në paralele sikur publiku mbetet pa frymë për të dëgjuar secilën notë.
Gërshetohen mistikja, inovacioni, klasikja në interpretimin e muzikës jazz. Veprat janë të ndërtuara mbi disa korniza të caktuara. Dëshmi janë partiturat para secilit instrumentist, por improvizimi që bëjnë më pas lë të kuptohet se liria në skenë për të sjellë secili më të mirën e mundshme me instrumentin e tij është qëllimi i atij që i ka kompozuar këto vepra të jazzit.
Bëhet fjalë për kontrabasistin e njohur amerikan Joe Sanders, i cili të martën mbrëma në Prishtinë prezantoi projektin e tij “Infinity” bashkë me Philip Dizack në trumbetë, Gregory Hutchinson në bateri dhe Marko Çrnçec në piano. Secili prej tyre ka hapësirën e vet për të improvizuar dhe komunikimi midis tyre bëhet i qartë qysh në momentin kur shkelin skenën e “American School of Kosovo”. Ata u bënë pjesë e natës së dytë të festivalit “Prishtina Winter Jazz Week”, i cili debutoi sivjet