Inflacioni në korrik u rrit për 1.7 %

Prishtinë | 11 Gus 2017 | 14:12 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik të vitit 2017.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2%) në muajin korrik 2017, krahasuar me muajin qershor 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djath dhe vezë (-1.4%); pemë (-4.1%); perime (-7.8%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4%) në IHÇK.

Rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupi i shërbimeve për transport (8.0%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim prej 0.2% në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin korrik 2017 me muajin korrik 2016 ishte 1.7%.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.7% në muajin korrik 2017, krahasuar me muajin korrik të vitit 2016. Kjo kryesisht është shpjeguar me disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: mish (1.0%); pemë (4.3%); sheqer dhe ëmbëlsira (5.5%); kafe, çaj dhe kakao (10.6%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.1%); duhan (5.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (16.6%) – (ngritje e çmimit të energjisë elektrike në muajin korrik 2017 për 25.9%, krahasuar me tarifat verore të muajt korrik të vitit 2016), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (3.2%) – (ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.0% në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: blerja e automjeteve (-1.6%); pajisjet telefonike dhe të telefaksit (-7.9%); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.9%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme