Influencuesi ultradjathtist nga Serbia në ‘rrjetin rus’ të promovuesve të Orbanit

Prishtinë | 08 Pri 2026 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Një influencues ultradjathtist nga Serbia ka mbështetur kryeministrin aktual të Hungarisë, Viktor Orbán, gjatë fushatës parazgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare.

Mario Bojić, i cili në kanalin e tij në YouTube, të ndjekur nga rreth 130.000 njerëz, përhap teori konspirative dhe propagandë pro-ruse, ka realizuar një reportazh nga Budapest, ku e paraqet Orbánin si mbrojtës të Evropës nga “terroristët islamikë”, ndërsa kandidatin opozitar Péter Magyar e cilëson si një marionetë të Bashkimit Evropian.

“Mbështetja e tij për Orbánin tregon se ekziston mundësia që Bojić të jetë pjesë e një rrjeti influencuesish dhe gazetarësh që organizohet nga Kremlini me qëllim mbështetjen e kryeministrit aktual të Hungarisë”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Bulcsu Hunyadi nga Instituti për Kapital Politik në Budapest.

Bojić nuk iu përgjigj ftesës së Radio Evropa e Lirë për të qenë bashkëbisedues në këtë tekst.

Partia e Orbánit, Fidesz, është në pushtet në këtë shtet anëtar të Bashkimit Evropian që nga viti 2010, ndërsa para zgjedhjeve të 12 prillit sondazhet parazgjedhore i japin përparësi partisë opozitare TISA, të udhëhequr nga Péter Magyar.

Kryeministri aktual është një partner i afërt i Federatës Ruse edhe pas fillimit të Russian invasion of Ukraine në vitin 2022, ndërsa mediat amerikane së fundmi kanë publikuar një seri artikujsh për lidhjet e shërbimeve sekrete ruse me zyrtarë të lartë hungarezë.

Nga partia e Orbánit nuk i janë përgjigjur pyetjes së RFE/RL për të komentuar mbështetjen që kanë marrë nga influencuesi serb.

Çfarë ka thënë Bojić?
Mario Bojić ka publikuar një video-reportazh njëorësh në kanalin e tij në YouTube “Mario Zna”. Kanali ka afro 130.000 ndjekës dhe mbi 30 milionë shikime që nga themelimi.

Videoja me titull “Shkova në Budapest për të parë pse BE-ja, (miliarderi dhe filantropi amerikan George Soros) dhe (presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy) duan me dëshpërim ta rrëzojnë Orbánin” është parë nga 13.000 njerëz për tri javë.

Në të, Bojić pretendon se “Perëndimi dëshiron ta rrëzojë Viktor Orbánin dhe të fillojë të sundojë këtu, ashtu siç sundon në Gjermani dhe Francë”.

“Mos mendoni se nuk do të përpiqen të bëjnë gjithçka për të arritur qëllimet e tyre dhe për të penguar prosperitetin e Hungarisë, për ta futur Hungarinë në luftëra, në mënyrë që qeveria hungareze të financojë luftëra dhe të braktisë politikën e paqes që aktualisht ndjek”, thotë Bojić.

Të ngjashme