Ka marrë start hartimi i një politike të re ndëshkimore ndaj zyrtarëve të lartë publikë që fshehin pasurinë dhe prejardhjen e këtij kapitali, pastaj dhuratat, ose edhe konfliktin e interesit.
Për llogari të saj, synohet të fuqizohet Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) dhe të pajiset edhe me kompetenca hetimi, shkruan sot Koha Ditore.
E dhëna është theksuar në një draft të një koncept-dokumenti që rekomandon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për AKK-në dhe Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, por edhe të dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Aktualisht, pjesa më e madhe e punës së AKK-së bazohet dhe funksionon përmes monitorimit dhe sistemit të raportimit që ende nuk është i zhvilluar.