Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar kundër injorimit të intonimit të himnit që iu është bërë nga zëvendëskryeministri, Bisnik Bislimi, në ndeshjen miqësore mes veteranëve të Kosovës dhe Gjermanisë që u luajt të shtunën.
Çitaku e ka quajtur një veprim të këtillë të “turpshëm”, derisa ka ironizuar me një deklaratë të mëhershme të numrit dy të Qeverisë, i cili tha se mbështetja ndaj kësaj Qeverie ishte aq e madhe sa që këtë të fundit nuk po e zinte gjumi.
“E turpshme, po aq sa e pabesueshme. Zv.kryeminister, shko në shtëpi. Flejë pak. Marre”, ka shkruar Çitaku në ‘Facebook’.
Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shtunën, në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës është zhvilluar ndeshja miqësore e veteranëve, Kosovë – Gjermani.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili gjatë intonimit të himnit të Kosovës dhe Gjermanisë nuk lëvizi nga vendi.