Hapësirat e Inkubatorit të Biznesit, në Komunën e Gjilanit, të cilat janë dedikuar për bizneset lokale dhe menaxhohen nga pushteti komunal, nuk po shfrytëzohen nga bizneset, por nga Organizatat Joqeveritare (OJQ), shkruan sot “Koha Ditore”.
E këtë gjë e konfirmojnë edhe vetë zyrtarët komunalë, të cilët pohojnë se duhet të ketë angazhim shtesë që Komuna të mos dështojë në funksionalizimin e këtij inkubatori, duke mos lejuar që të devijojë qëllimi i themelimit të tij.
Në drejtim të ekzekutivit të Komunës ka pasur rekomandime që OJQ-të të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre të largohen nga objekti dhe në këto hapësira të vendosen bizneset. Në dokumentet e Komunës, pranohet se ata nuk kanë arritur të funksionalizojnë inkubatorin, prandaj në planin e punës për vitin 2019 është kërkuar që të fillohet me ndryshimin e gjendjes në terren.