INPO reagon ashpër ndaj keqmenaxhimit të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit në komunën e Ferizajt dhe kërkon të mbahen përgjegjës zyrtarët që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik.
Komuna e Ferizajt në prill të këtij viti, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë ka kontraktuar operatorin ekonomik “Ekologjia” për dezinfektimin dhe dezinsektimin e objekteve dhe hapësirave publike në vlerë totale të kontratës prej 50,000.00 Euro.
Fillimisht, INPO ka gjetur se gjatë negocimit të kësaj kontrate komuna nuk ka respektuar parimin bazë të prokurimit, atë të ruajtjes së vlerës për paranë. Sipas kësaj kontrate, komunës së Ferizajt, dezinfektimi i një metri katror (1m2) i ka kushtuar 0.47 euro, përderisa komuna e Shtimes nga i njëjti operator ekonomik këtë shërbim e ka kontraktuar për vetëm 0.32 euro. Ndërkaq, në bazë të analizës së çmimeve të 10 kontratave të ngjashme të komunave të tjera, INPO ka gjetur se çmimi mesatar i këtij shërbimi gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, ka rezultuar të jetë 0.22 euro për 1m2.
Gjatë analizës së dokumenteve të tenderit, INPO nuk ka gjetur se me çfarë metode komuna ka llogaritur vlerën e parashikuar të kontratës, pasi që as në dosjen e tenderit dhe as në paramasë nuk është specifikuar numri i objekteve dhe hapësirave publike të planifikuara për dezinfektim, si dhe nuk është shënuar sasia totale e shprehur në m2. Rrjedhimisht, kjo kontratë nuk e ka të specifikuar sasinë dhe frekuencën e shërbimeve.
Tutje, komuna nuk ka bërë asnjë përpjekje për të negociuar çmimin e ofertuar nga operatori ekonomik në mënyrë që të ruaj vlerën për paranë. Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë, obligon komunën që të luaj rol aktiv në përcaktimin e termave të kontratës, duke iu referuar posaçërisht çmimit, afateve të dorëzimit, sasive, karakteristikave teknike, si dhe të sigurohet se çmimi i kontraktuar nuk është më i lartë se sa çmimi i tregut.
Në të njëjtën mënyrë komuna ka vepruar edhe më kontratën “Furnizimi i QKMF-së dhe Spitalit të Ferizajt, me mjete dhe pajisje mbrojtëse mjekësore” me nr. të prokurimit 656-20-1616-1-2-5, në vlerë prej 50,000.00 euro. As në këtë kontratë komuna nuk ka përcaktuar sasinë totale të artikujve të kontraktuar. Sipas dokumenteve të tenderit, komuna ka kërkuar nga operatori ekonomik “MADE – KOS” që të ofroj vetëm çmimet për njësi për një artikull mirëpo, as në kontratë dhe as në paramasë nuk ka përcaktuar sasinë totale të furnizimeve që janë objekt i kontratës.
Lidhja e kontratave në këtë formë, duke mos e paraqitur sasinë e punëve apo shërbimeve që do të realizohen, paraqet dyshim të bazuar për keqpërdorim të parasë publike dhe po ashtu pamundëson monitorimin e zbatimit të kontratës dhe ofrimit të shërbimeve cilësore dhe në mënyrë transparente për publikun e gjerë.
INPO i rikujton Kryetarit të Komunës se është nën përgjegjësinë e tij kryesore garantimi i sundimit të ligjit dhe menaxhimit efikas dhe efektiv në shpenzimin e parasë publike, gjithnjë duke pasur për interes nevojat reale të qytetarëve të Ferizajt. Andaj, INPO kërkon nga kryetari i komunës që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të vendosur standarde ligjore dhe efikase në shpenzimin e parave publike përmes prokurimit publik dhe të sigurohet se çmimet e kontratave publike të komunës nuk tejkalojnë çmimet e tregut në vend.
Gjithashtu, INPO i bën thirrje të gjitha autoriteteve relevante, të cilat kanë për mandat mbikëqyrjen e shpenzimit e parasë publike, të reagojnë në kërkim të llogarisë për shkeljet e paraqitura dhe të angazhohen që autorët e këtyre shkeljeve të mbahen përgjegjës para ligjit.