INPO: Komunat shënuan progres, por vazhdojnë të iniciojnë aktivitete të prokurimit të paplanifikuara

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, me mbështetje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), sot në një konferencë për medie, ka publikuar raportin me titull “Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave 20 komuna”.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, tregoi përmbajten e raportit dhe metodologjinë që ka ndjekur INPO gjatë procesit të monitorimit. Arifi theksoi që raporti përfshin monitorimin e më shumë se 80 tenderëve dhe ky raport brenda vetes përmban edhe komentet e komunave të fokusit.

Më pas, gjetjet i prezantoi hulumtuesja e INPO-s, Leorenta Alija. Sipas saj, rezultatet e hulumtimit tregojnë se përkundër obligimit me dispozita të caktuara ligjore që tenderët e iniciuar të jenë të parashikuar me plan të prokurimit, AK-të përkundër një përmirësimi nga viti i kaluar, ato ende vazhdojnë që të shkelin këto dispozita.

Gjetjet e hulumtimit tregojnë se komunat janë duke aplikuar kërkesa shumë të larta, joproporcionale, diskriminuese dhe jo valide në dosje të tenderëve. Konkretisht, 7 nga 20 komunat e monitoruara kanë aplikuar këto kërkesa, ndërsa gjashtë 6 komuna tjera kanë larguar kërkesat joligjore pas reagimeve dhe rekomandimeve të INPO-s.

“Një dukuri mjaft shqetësuese gjatë zhvillimit të procesit të prokurimit është përdorimi i shpeshtë i Formular B54 për korrigjimin e gabimeve në dosjen e tenderit, konkretisht në 9 nga 20 komunat e monitoruara janë evidentuar këta formularë të cilët janë tregues i qartë për lëshime dhe joprofesionalizëm në hartimin e dosjes së tenderëve”.

Alija vazhdoi duke theksuar se komunat janë duke e keqpërdorur mundësinë ligjore për shkurtim të afateve për pranimin e tenderëve. Në fakt 7 nga 20 komunat e monitoruara kanë shkurtuar afatet për pranimin e tenderëve duke ndikuar direkt në numrin e OE-ve të cilët ofertojnë dhe në cilësinë e ofertave të pranuara.

Tutje, hulumtimi vë në pah se si komunat për shërbimin e njëjtë paguajnë çmime të ndryshme prej vitit në vit, ndërsa krahasuar me komunat tjera çmimet janë diametralisht të kundërta. Tutje, në, 5 komunat e monitoruara INPO ka evidentuar raste kur anëtarët e komisioneve për vlerësim të tenderëve nuk kanë pasur profesion as të përafërt me natyrën e kontratës që nënkupton se nuk kanë pasur kapacitet profesional për vlerësim të tenderëve. Përveç kësaj, janë evidentuar edhe raste kur tenderët janë vlerësuar nga persona të paautorizuar.

Sa i përket aspektit të menaxhimit të kontratave, rezultatet e hulumtimit tregojnë se disa komuna përkundër obligimit ligjor dhe thirrjeve të vazhdueshme nga KRPP, të njëjtat nuk publikojnë kontratat në platformën e-prokurimi, kjo shkelje ligjore është evidentuar në 5 nga 20 komunat e monitoruara. Bazuar në premisën se menaxhimi i kontratës përveç aspekteve tjera kërkon edhe profesionalizëm të menaxherit të kontratës, INPO në 6 komunat e monitoruara ka evidentuar raste kur profesioni i menaxherit të kontratës nuk ka pasur fare të bëjë me natyrën e kontratës. Si dukuri shumë shqetësuese mbetet ngarkimi i tepërt i menaxherëve me numër të madh të kontratave që kanë nën menaxhim, në këtë drejtim gjetjet tregojnë se ka menaxher i cili ka nën menaxhim vetëm brenda një viti deri në 30 kontrata.

Tutje, gjetjet e hulumtimit tregojnë se komunat vazhdojnë të hartojnë PMK në kundërshtim me kërkesat ligjore, kjo është evidentuar në 4 nga 20 komunat e monitoruara. Gjithashtu, në 3 nga 20 komunat e monitoruara ka kundërthënie të mëdha në mes të PMK-së dhe KVK-së, posaçërisht sa u përket afateve se kur duhet të filloj dhe përfundoj kontrata e caktuar dhe kjo është shumë shqetësuese. Menaxhimi i kontratës përveç aspektit profesional ka edhe aspektin teknik duke përfshi këtu edhe prodhimin e raporteve përkatëse gjatë menaxhimit, ndërsa në 5 komuna është gjetur se ka lëshime të theksuara në këtë drejtim.

Përveç tjerash INPO në 8 nga 20 komunat e monitoruara ka gjetur se pagesat nuk janë ekzekutuar brenda afateve ligjore, madje në disa raste afatet për pagesë janë tejkaluar me muaj të tërë. Përveç pagesës brenda afateve ligjore, edhe siguria e ekzekutimit të kontratës ka një rol shumë të rëndësishëm në përmbushjen e rregullt të kontratës, mirëpo për 14 komuna të monitoruara kjo nuk duket se është e rëndësishme. Kjo për faktin se në këto komuna është gjetur se siguria e ekzekutimit është pranuar në kundërshtim me kërkesat ligjore, e në shumicën e rasteve ajo ka skaduar, apo skadon ende pa përfunduar kontrata.

Në fund, Alija shtoi se si pjesë e pashmangshme e monitorimit të menaxhimit të kontratave, INPO ka aplikuar edhe vizitën në terren, përkatësisht në vendin e ekzekutimit të kontratave, si indikator për monitorimin e zbatimit të kontratave. Vizitat në terren kanë dëshmuar se komunat ekzekutojnë pagesa pa përfunduar punët si dhe ekzekutojnë pagesa edhe përkundër që furnizimet, shërbimet apo punët i kanë pranuar në kundërshtim me kontratë dhe paramasë, apo nuk i kanë pranuar fare. Monitorimi në terren ka shpërfaqë gjithashtu edhe cilësinë e dobët të punëve të realizuara, lënie e punëve në gjysmë, mos respektim i specifikave të pozicioneve në paramasë, e kështu me radhë.

Ndërsa monitoruesi tjeyër, Valmir Ilazi, para përfaqësuesve të mediave prezantoi rekomandimet që dalin nga ky raport.

INPO rekomandon që komunat të iniciojnë tender në përputhje me planin e prokurimit, të mos vendosin kritere diskriminuese dhe vlerësimi i tenderëve të jetë profesional.

“Menaxherët e kontratave të jenë njohës të fushës me të cilën ka të bëjë kontrata dhe të njëjtit të mos ngarkohen me kontrata të shumta në mënyrë që pastaj të rrezikohet menaxhimi cilësor i kontratave”.

Në fund, Ilazi rekomandoi që komunat të mos ekzekutojnë pagesa pa pranuar furnizimin, shërbimin dhe punën e caktuar, si dhe të mos pranojnë përmbushje të kontratës në kundërshtim me termat dhe kushtet e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme