INPO: Ferizaj nuk raporton shpenzimet

Prishtinë | 13 Gus 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse ka përfunduar tremujori i dytë të vitit fiskal, Kuvendi i Komunës së Ferizajt nuk ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve prill – qershor 2019, madje ky raport nuk mund të gjendet as në ueb faqen e komunës, ashtu sikur parashihet me ligj. Kjo u bë e ditur për media nga Iniciativa për Progres (INPO).

Përmes një kumtese për media, INPO thotë se Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, respektivisht neni 45, obligon Kryetarin e Komunës që të përgatitë dhe t’i dorëzojë Kuvendit Komunal raporte tremujore të cilat mbulojnë vitin fiskal deri në fund të tremujorit i cili sapo ka përfunduar.

“Këto raporte duhet t’i dorëzohen kuvendit komunal dhe një kopje duhet t’i dorëzohet ministrit brenda tridhjetë (30) ditëve pas përfundimit të çdo tremujori dhe më pas duhet të publikohen nga kryetari i komunës në faqen e internetit të komunës. Çdo raport i këtillë duhet të paraqesë informatat mbi arkëtimet dhe shpenzimet së bashku me një përmbledhje të statusit të të gjitha projekteve kapitale të shpenzimit. Kuvendi Komunal në planin e tij të punës për vitin 2019, ka paraparë shqyrtimin e këtij raporti në korrik, mirëpo Kryetari i Komunës e ka injoruar këtë obligim ligjor, madje nuk ka dhënë asnjë sqarim për mos sjelljen e raportit në kuvend për shqyrtim”, thuhet në reagim.

INPO vlerëson se mosraportimi me kohë dhe mungesa e debatit parlamentar për ecurinë financiare për periudhën prill-qershor 2019, respektivisht mbyllja e obligimeve financiare për periudhën gjashtë mujore të shpenzimeve dhe investimeve kapitale, tregon mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, si dhe injorim të autoritetit të Kuvendit Komunal si organi më i lartë vendimmarrës në Komunë.

INPO i rikujton Kryetarit dhe ekzekutivit të komunës, se Kuvendi Komunal është organi më i lartë në komunë, i cili është i thirrur të mbikëqyrë dhe të përcjellë punën e ekzekutivit, të miratoj buxhetin dhe planet investuese, si dhe të bëjë shqyrtimin e çështjeve financiare të cilat janë të rezervuara për kuvendin sipas ligjit dhe rregullores së punës, çështje këto që nuk mund t’ia delegoj asnjë organi tjetër.

“Rrjedhimisht, Kuvendi duhet jetë e informuar për rrjedhën e ecurisë financiare në mënyrë periodike duke përfshirë një përmbledhje të statusit të të gjitha projekteve kapitale të shpenzimit, detaje të pagesave të borxheve ndaj palëve të tjera, numrin faktik i punonjësve të përhershëm dhe të përkohshëm të komunës krahasuar me numrat e autorizuar në buxhet, detaje për të gjitha rregullimet që janë bërë në ndarjen buxhetore si dhe çështje tjera të cilat janë me interes publik e që bëhen me qëllim të ruajtjes së parasë publike dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve, për të cilat qeverisja aktuale asnjëherë nuk ka raportuar. INPO fton kryetarin e komunës, që të publikoj raportin e shpenzimeve për këtë periudhë sipas frymës së Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, dhe i bën thirrje për respektim të obligimeve ligjore dhe transparencë të plotë financiare”, përfundon njoftimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme