Lorenzo Insigne ka paralajmëruar Napolin para përballjes me Barcelonën në Ligën e Kampionëve.
Ai ua ka kujtuar shokëve se përballë do të kenë Lionel Messin dhe një skuadër të fortë, teksa shpreson t’i gëzojnë tifozët në San Paolo.
Ndeshja e parë e 1/8 në Champions luhet të martën, kurse ajo e kthimit disa javë më pas në ‘Camp Nou’.
“Do të luajmë kundër një skuadre të shkëlqyeshme. Duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk është vetëm Messi, por ata kanë edhe lojtar tjerë të shkëlqyer dhe ne duhet të japim më të mirën nga vetja për të bërë paraqitje të shkëlqyeshme”, u shpreh Insigne.
Messi luan për herë të parë në shtëpinë ku bashkëkombësi i tij, Diego Armando Maradona, shkroi histori dhe sot e asaj dite – ka mbetur në zemër të napolitanëve, sepse ai është më i miri ndonjëherë që ka veshur fanellën e Napolit.
I pyetur për këtë, Insigne nuk ka dashur të krahasojë të “shenjtin” Maradona me Messin.
“Messi është më i miri në botë, nuk e krahasoj me Maradonën”, shtoi ai.
“Diego është gjithçka. Nuk mund t’i krahasojmë, nuk i krahasojmë. Për ne, Maradona është i shenjtë. Messi është më i miri momentalisht”.
Ai do të jetë kapiten dhe është pyetur për ndjesinë nëse do të shënojë në ‘San Paolo’.
“Nuk ka rëndësi kush shënon, edhe nëse Ospina shënon për ne është e njëjtë, duam vetëm në fund rezultat të mirë”, shtoi mes tjerash Insigne.