Drejtoria e Inspeksionit e ka mbyllur mullirin në Zhabar të Mitrovicës për shkak të shtrenjtimit të miellit.
Sipas një njoftimi për media nga komuna e Mitrovicës, theksohet se pas ankesave të shumta të qytetarëve të Komunës së Mitrovicës, Drejtoria e Inspeksionit sot ka mbyllur mullirin në Zhabar të Mitrovicës, pasi që ka rritur çmimin e miellit, duke shfrytëzuar situatën e krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19.
Me këtë rast inspektorët komunal menjëherë kanë shqyrtuar ankesat e qytetarëve duke inspektuar këtë lokacion, ku kanë hasur në ngritjen e çmimit të miellit, për 100 kg çmimi ka variuar nga 50-80 euro.
“Drejtoria e Inspeksionit bën të ditur se Inspektorët komunal janë vazhdimisht në teren për të parë nga afër nëse bizneset bëjnë ngritjen e çmimeve, dhe ndaj atyre që manipulojnë me çmime të produkteve do të merren masa ligjore”, përfundon njoftimi.