Inspeksioni ndërpret punimet e ndërtimit të një ure mbi lumin Ibër

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Inspektorët Komunalë, së bashku me zyrtarë nga Drejtoria e Kadastrit, dhe në bashkëpunim me Policinë kanë marrë aksion për ndalimin e ndërtimit të urës mbi lumin Ibër tek vendi i quajtur “Shkëmbi i Dudës”, i cili ndodhet në mes të tri komunave Mitrovicës Jugore, asaj Veriore dhe Zveqanit.

Sipas komunikatës komunale, kjo ndërprerje e punimeve është bërë pasi që operatori nuk ka kërkuar leje nga ana e komunës sonë për ndërtimin e asaj ure, dhe ai nuk do t’i vazhdoj punimet në atë pjesë deri sa të pajisjet me dokumentacionet e duhura nga Drejtoria përkatëse, dhe të dërgojë projektin të cilin parasheh të realizoj në atë vend.

Në këtë aksion mori pjesë edhe drejtori i Inspekcionit, Fidan Ademi, i cili tha se në asnjë rast nuk do të lejohen ndërtimet pa pajisje me leje ndërtimi dhe ju ka bërë thirrje qytetarëve, që të respektojnë ligjet dhe rregulloret në fuqi, për ndërtime të objekteve të ndryshme.

Me këtë rast, ka reaguar edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi që Komuna e pjesës veriore nuk ka kërkuar leje nga institucionet tona për t’a pajisur me leje operatorin, por ka lejuar që ai të vazhdoj ndërtimin e urës pa leje nga organet komunale.

Njëkohësisht ka kërkuar nga Komuna e pjesës veriore të shqyrtoj kërkesën për pajisje me leje për rregullimin e shtratit të lumit Ibër në atë pjesë, pasi që është interes i të gjithë qytetarëve tanë, dhe për të cilin janë dërguar të gjitha dokumentacionet e nevojshme, por që ende nuk lejojnë të zhvillohen punimet në atë pjesë.

Të ngjashme