Inspektorati i Arsimit në Pejë ka dalë me një procesverbal rreth rastit të nxënësve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, të cilit ishin ulur ndaras nga nxënësit e tjerë, që ishin të pranishëm në Festën e Abetares në palestrën e sportit “Karagaqi” në Pejë.
Ky inspektorat, vlerëson se këtu ka pasur diskriminim, derisa ka listuar disa të gjetura pas analizimit të kronikës së realizuar nga Klan Kosova, deklaratën e mësueses, deklaratën e drejtorit të shkollës “Xhemajl Kada”, deklaratën e drejtorit të DKA-së dhe faktorë të tjerë.
“Pamjet televizive ku janë parë nxënësit e komunitetit romë, ashkalinj dhe egjiptianë, në atë pjesë, ku nuk kishte nxënës tjerë përveç tyre, është diskriminuese dhe fyese për komunitetin në fjalë dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Në këtë procesverbal është përfshirë deklarata me shkrim që ka dhënë mësuesja, momenti se si gazetarja e Klan Kosovës i ka pyetur nxënësit e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe deklarata që kishte dhënë mësuesja po për Klan Kosovën.
“Në deklaratën me shkrim të mësueses ku përshkruhet situata e datës 17.05.2022 që kishte marrë pjesë me 10 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në festen e abetares në palestrën “Karagaqi” në Pejë thuhet se: Pas një aktiviteti në parkun e qytetit i cili ishte planifikuar si aktivitet për zhvillimin e njësisë mësimore në natyrë, aktivitetin e kemi vazhduar në palestër me 10 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian të moshës 10 deri në 14 vjeç për të marrë pjesë në festën e abetare”. Me tutje thekson se: Në palestër kemi arritur me vonesë, dhe pasi salla ishte e mbushur me nxënës dhe prindër dhe pothuajse ishin të zëna të gjitha vendet në pjesën qendrore të palestrës, jemi orientuar së bashku me këta nxënës në pjesën tjetër të lirë ku aty ishin disa prindër. Nxënësit ishin mjaft të disponuar dhe aktivë në përcjelljen e programit, me ç`rast kam filluar të vallëzoj bashkë me nxënësit e mi në përcjellje të pikave festive të nxënësve që ishin në podium të palestrës. Ndërkohë, gazetarja e TV Klan Kosova është afruar të nxënësit dhe u ka bërë pyetje: Pse jeni ulur të veçuar? Nxënësit janë përgjigjur së ata kanë pasur dëshirë të uleshin në ndonjë vend më afër përcjelljes së aktivitetit por mësuesja i ka sjellë këtu. Intervista është realizuar edhe me mësuesen me pyetje të ndryshme. Mësuesja deklaron që me vetë iniciativë i ka sistemuar nxënësit të ulen dhe ta përcjellin programin nga ai vend ku ishin vendosur pa asnjë qëllim diskriminues apo fyes për komunitetin dhe nxënësit”.
Në këtë procesverbal janë përfshirë edhe deklaratat e drejtorit të shkollës “Xhemajl Kada” në Pejë dhe të drejtorit të DKA-së në Pejë dhe zyrtarët e kësaj drejtorie që ishin të caktuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e Festës së Abetares.
Andaj Inspektorati i Arsimit në Pejë rekomanduar që Departamenti Komunal në Pejë të nisë procedurë disiplinore ndaj mësuese Gjylfidane Morina. Po ashtu rekomandohet që Drejtoria e ShFMU “Xhemajl Kada” në Pejë të promovojë të drejta të barabarta në arsim për të gjithë nxënësit pa dallim, gjithashtu të promovojë në vazhdimësi të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre për arsimim publik dhe barazinë e tyre me popullin shumicë.
Sektori i Inspektoratit të Arsimit thotë se gjatë vizitave inspektuese në ShFMU “Xhemajl Kada” në Pejë ka vërejtur së nxënësit e komuniteteve trajtohen barabartë me të gjithë pa përjashtim.