Me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve nga pandemia COVID-19, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi ka nënshkruar një Urdhëresë për aplikimin e masave për parandalimin e luftimit të COVID-19 në sektorin e gastronomisë.
Përmes kësaj urdhërese ministri ka kërkuar zbatimin e masave që dalin nga Plani Kombëtar i Reagimit ndaj këtij virusi, rekomandimeve që janë dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa Kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla bashkë me inspektoratin ka vazhduar kontrollet nëpër lokale edhe sot në kryeqytet.
Syla bashkë me inspektoratin ka informuar bizneset për urdhëresën e ministrit Krasniqi, dhe iu ka kërkuar pronarëve të bizneseve që t’iu përmbahet rregullave të institucioneve.
Syla ka bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë, që të mbrohet shëndeti i qytetarëve të Kosovës dhe të respektohen rregullat dhe njëkohësisht do të kërkohet nga Inspektoratet Komunale që ta zbatojnë Urdhëresën e ministrit Krasniqi.