Inspektorati i trashëgimisë kulturore ka ndaluar punimet e nisura të hënën në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Pllakatës së projektit i është vendosur njoftimi për ndalim të punimeve. Kjo nënkupton ndalimin e punimeve deri në miratimin e projektit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, nën mbikëqyrjen e të cilit mund të nis puna.
Të hënën, kryetari i Komunës, Përparim Rama, promovoi nisjen e punimeve pa e marrë pëlqimin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Punimet në këtë bulevard zhvillohen midis monumenteve si hoteli “Grand”, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar qysh më 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore ose ato afër tyre kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Projekti për të cilin është kontraktuar kompania nga Shqipëria “Salillari” dhe disa kontraktues të tjerë nga Kosova ka peshë financiare prej 18 milionë e 400 mijë eurosh.


