Drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Islam Thaqi, të hënën i ka bërë thirrje Prokurorisë Themelore që t’i zgjerojë hetimet ndaj të gjithë aktorëve të përfshirë në rastin “Abi Çarshia”, që prej fillimit të procesit.
Ai ka shprehur bindjen se parregullsitë në këtë rast janë të shumta, sikurse edhe shkeljet ligjore nga aktorët e ndryshëm të përfshirë në këtë rast, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë avokati i tij, Blerim Mazreku, ka konsideruar se drejtori Islam Thaqi në këtë rast nuk ka vepruar në kundërshti me dispozitat ligjore dhe se provat për këtë i janë dorëzuar Prokurorisë dhe se do të paraqiten edhe para Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Thaqi dhe Mazreku fillimisht janë ndalur në ndërtesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ku kanë provuar që ta takojnë prokurorin e rastit, për t’i sqaruar disa gjëra që kanë të bëjnë me rastin “Abi Çarshia”. Meqë prokurori nuk ka qenë i pranishëm në atë kohë, ata kanë dorëzuar një dosje të lëndës përkatëse.