Inspektorati i Komunës së Prizrenit të hënën ka gjetur mbi 700 kilogramë mish me afat të skaduar në qendrën tregtare “Elkos” në këtë qytet.
Sipas zyrtarëve komunalë, kjo sasi e mishit me afat të skaduar është konfiskuar dhe gjatë ditës është asgjësuar, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë të hënën edhe Gjykata Themelore në Prizren përmes një komunikate ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj personit me inicialet A.J. nga Rahoveci për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: prodhimi dhe vënia në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë dhe kanosje, që kanë të bëjnë me rastin e importimit të mishit me cilësi të dyshimtë nga Belgjika.
Për gjetjen e mishit me afat të skaduar me prejardhje nga Holanda fillimisht ka njoftuar kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.