Inspektorati i Komunës së Lipjanit gjatë së shtunës ka nisur një aksion për parandalimin e ndërtimeve pa leje brenda qytetit. Ndërkohë, inspektorati ka hasur në një biznes i cili po e dëmtonte hapësirën publike, parkingjet dhe trotuaret pranë objektit të komunës në rrugën “Isa Olluri”.
Po ashtu ky biznes pa ndonjë leje nga komuna po tentonte të ndryshonte edhe pamjen e jashtme të biznesit dhe prishjen e mureve të objekti pa ndonjë leje paraprake, derisa në pjesën e epërme të objektit jetojnë rreth 50 familje në banesa kolektive.
Sipas Inspektoratit të komunës aksioni është duke vazhduar edhe në pjesë të tjera të qytetit për ta monitoruar situatën pasi që shpeshherë ndërtime të tilla po ndodhin gjatë ditëve të vikendit.
Imer Rrustemi, drejtor i inspektoratit në komunën e Lipjanit ka thënë se mëngjesi i së shtunës ka rezultuar me parandalimin e dëmtimit të pronës publike në rrugën “Isa Olluri”.
Sipas tij, pronarët e bizneseve në raste të tilla nuk kanë të drejtë të bëjnë asnjë prishje të mureve për shkak të rrezikut të familjeve në banesa kolektive.
“Këtu është një objekt kolektiv, kurse në pjesën e lokaleve pronarët nuk kanë të drejtë të bëjnë ndryshime dhe prishje të mureve apo bazës së betonit. Ne e kemi parandaluar një veprim të tillë dhe e kemi njoftuar edhe Policinë e Kosovës sepse po ashtu ky biznes ka dëmtuar edhe pronën publike, parkingjet dhe trotuaret”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, për këtë vepër të jashtëligjshme, gjobat do të jenë shumë të larta për pronarin dhe biznesin i cili pa ndonjë leje nga komuna ka dëmtuar pronën publike dhe ka rrezikuar dhjetëra familje që jetojnë në banesa kolektive.
Rrustemi ka njoftuar se dëmtimi i shenjave zyrtare pas ndërprerjes së punimeve është vepër penale dhe sanksionohet me ligjet e Republikës së Kosovës.