Dy inspektorët e UEFA-s, Nicolaus Marshall dhe Thomas Grunther, kanë qëndruar sot për vizitë në Prishtinë, me ç’rast kanë inspektuar punimet në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë.
Ata në shoqëri të drejtorit të Departamentit të Sportit, Ibër Alaj dhe drejtorit për marrëdhënie me jashtë në FFK, Artan Govori, si dhe zyrtarëve tjerë të FFK-së, kanë bërë inspektimin e punimeve si dhe kanë mbajtur një takim me zyrtarët e kompanisë punëkryerëse në stadium.
Me këtë rast Nicolaus Marshall ka bërë të ditur se ata kanë ardhur për të ndihmuar në implementimin e projektit, duke shprehur shpresën se tash kur edhe moti është më i mirë punimet të vazhdojnë në ritëm më të madh.
Ai po ashtu ka thënë se do t’i vëzhgojnë punimet në vazhdimësi dhe ka shprehur shpresën që finalizimi i punës të bëhet në afatet e parapara.
Ndërkaq, menaxheri i mbikëqyrjes së punimeve, Florim Grajqevci, ka premtuar se ritmi i punimeve në stadium do të vjen duke u rritur dhe ato do të përfundojnë në afat prej 5-6 muajsh.
Ndërkohë, nesër në Kosovë do të vijë inspektori i infrastrukturës i UEFA-s, Tyrge Borno, i cili në orën 10:00 do të inspektojë edhe Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, të cilit ditë më parë iu dha leja nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve të klubeve në garat evropiane.