Vendimmarrës të nivelit lokal e qendror, sikurse edhe përfaqësues të fshatrave të Luginës së Lumbardhit (Zhupës), kanë nënshkruar të hënën deklaratën, me të cilën kërkohet nga organet kompetente që të anulojnë ndërtimin e hidrocentraleve në këtë trevë.
Deklarata është iniciuar në kuadër të konferencës “Për zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Zhupës – Kundër hidrocentraleve”, të organizuar nga Komuna e Prizrenit, ku kanë marrë pjesë zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit, të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të KK-së së Prizrenit, përfaqësues nga fshatrat e Luginës së Lumëbardhit, OJQ-të vendore e ndërkombëtare, etj.
“Ne të nënshkruarit e kësaj deklarate kërkojmë nga organet kompetente që të anulohet ndërtimi i hidrocentraleve të planifikuara në rajonin e Zhupës, te Lugina e Lumëbardhit të Prizrenit. Hidrocentralet, ashtu si janë të planifikuara, nuk përfshihen në planet zhvillimore të Kosovës e as në strategjitë dhe planet zhvillimore e urbanistike të Komunës së Prizrenit, e për më tepër, rrezikojnë zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit, të cilat janë prioritetet komunale për zhvillimin e rajonit dhe do të shkaktonin një shkatërrim ekologjik të florës dhe të faunës në këtë rajon. Të nënshkruarit e kësaj deklarate zotohen që do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për parandalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Lumëbardh dhe në degët e tij”, thuhet në deklaratë.