Valbona, historia e një natyre të rrallë që po mbytet në beton për hir të hidrocentraleve

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 14:25 | Nga

Chatherine Bohne është një nga amerikanet më të famshme në Shqipëri. Pasi u mahnit nga bukuritë e Luginës së Valbonës, ajo prej vitesh ka ngritur një bujtinë të vetën përreth lumit, ku edhe jeton tashmë.

Por sot në Shqipëri lumenjtë rrezikohen të thahen nga ndërtimi pa kriter i hidrocentraleve. Prej vitit 2002 deri më sot, rezulton të jenë firmosur 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve. Nga këto leje të dhëna, 117 kanë përfunduar së ndërtuari, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen.

Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” njihet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Me bukuritë e saj dhe jetesën origjinale të komunitetit të kësaj zone, Parku i Valbonës pret për çdo stinë turistë nga e gjithë bota. Më të shumtët janë ata çekë, sllovenë, gjermanë që pëlqejnë turizmin malor, ecjet alpine, sportet dhe aventurat e ndryshme në majat dhe shpellat e luginës që duken të pafundme.

Në Luginën e Valbonës, aktualisht po ndërtohen 3 hidrocentrale, 2 prej tyre në lumin Valbonë, ndërsa një tjetër në lumin Çerem. Punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë po vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërkaq që dita-ditës po merr formë një tunel që do ta zhdukë rrjedhën e lumit Valbona për disa kilometra. Po ashtu, po punohet edhe në pjesët e tjera ku do të devijohet uji me tuba, transmeton Insajderi.

Lumi i Valbonës, i konsideruar si zemra blu e Alpeve Shqiptare është devijuar nga shtrati i zakonshëm dhe ka hyrë në disa tuba me gjerësi mbi 3 metra. Uji nuk do të vijojë rrjedhjen normale në shtratin e tij, pasi do të hyjë në tuba, për të përfunduar më pas në turbinat e hidrocentralit.

Më 17 shtator, qysh në 06:00 të mëngjesit, Catherine me aktivistë tjerë të huaj për mbrojtjen e lumenjve në Ballkan dhe banorë të Dragobisë në Tropojë për të disatën herë protestuan kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. Këtë herë ata kishin bllokuar për 3 orë hyrjen për në kantierin e ndërtimit, pikërisht aty ku firma koncesionare po kryen pjesën më të madhe të punimeve.

Nuk ishin vetëm dhe thjeshtë aktivistët që reaguan për këtë çështje. Një studim i Kombeve të Bashkuara, nga PNUD, i muajit shkurt 2018, i hartuar për llogari të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, nxori në pah se ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare të firmosura nga Shqipëria, për ruajtjen e mjedisit.

Raporti vijon më tej, se hidrocentralet nuk përllogarisin asnjë buxhet për kostot mjedisore, madje nuk ekziston asnjë rregullim ligjor për dëmet që mund t’i shkaktohen mjedisit nga ndërtimi i një hidrocentrali. Për rrjedhojë, pasojat mjedisore që shkakton një hidrocentral, sot mbulohen nga taksapaguesit shqiptarë.

Një nga kriteret për të ndërtuar një hidrocentral është edhe diskutimi me banorët e zonës ku do të ndërtohet. Më 3 prill 2013, kompania GENER 2, nëpërmjet një dokumenti të bërë publik, pretendonte se ishte marrë nënshkrimet e komunitetit të Dragobisë për ndërtimin e hidrocentraleve. Por në dokument ishte vendosur edhe emri i Adem Demiraj, i cili ka vdekur në vitin 2000, por GENER 2 pretendonte se ai kishte nënshkruar dokumentin e tyre në vitin 2013.

Përveç të vdekurve, kompania GENER 2 kishte hedhur në diskutim publik edhe nënshkrimet e të gjallëve, por pa aprovimin e tyre. Një prej këtyre nënshkrimeve është ajo e Salih Sokolaj, i cili ka depozituar edhe një kallëzim penal kundër GENER 2 dhe kryeplakut të fshatit Dragobi, për falsifikim të nënshkrimeve.

Në tërë këtë proces, nuk mund të thuhet se kanë vendosur drejtësinë as gjykatat.

Së fundmi, më 24 shtator, Gjykata e Apelit në Shkodër ka refuzuar ta pranojë kërkesën e banorëve për ndalimin e punimeve në Valbonë me arsyetimin se ankimimi ishte i vonuar.

Më herët, Gjykata Administrative kishte vendosur ndaljen e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve, por Gjykata e Shkallës së Parë në Tropojë, nëpërmjet një vendimi të çuditshëm, i hapi rrugë përsëri vazhdimit të punimeve.

Lejet për hidrocantrale u dhanë gjatë fundit të mandatit së qeverisjes së Sali Berishës. Qeveria e mëvonshme socialiste u përpoq t’i anullonte lejet konçensionare por u tërhoq pa shumë transparencë nga apelimi në gjykatat ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme