Disa institucione të arsimit të lartë i kanë vënë shpresat tek bordi i ri i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për t’ua hequr pezullimin programeve, të cilat i kishte pezulluar bordi i kaluar i cili u shkarkua më 25 shtator nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, (MASHT) Shyqiri Bytyqi.
Këto institucione të arsimit të lartë thonë se i kanë plotësuar kriteret për t’u hequr pezullimi, shkruan sot Koha Ditore.
Pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18, deri në një vendim tjetër të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Kriter kyç për dhënien e akreditimit për programet e institucioneve të arsimit të lartë është që për çdo program të studimit të ketë të paktën 3 doktorë të shkencës të punësuar me orar të plotë.